Një serb i arrestuar në Pjetërq nën dyshimin për masakrën e vitit 1999

Kronika May 28, 2018 - 17:18
Detajet

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të komunitetit serb nën dyshimin për masakrën e 29 marsit të vitit 1999 në fshatin Pjetërq në Klinë.

Arrestimi është bërë gjatë protestës së sotme të banorëve të Pjetërqit që kishin protestuar para shënimit të festës së komunitetit serb “SV Trojic”.

“Nga protestuesit është identifikuar një person L.B. serb 1965, si i dyshuar në masakrën e 29.03.1999 në fsh.Poterq, i njëjti është shoqëruar dhe gjendet ne objektet e Policisë s Kosovës për verifikim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Policia ka njoftuar se gjatë protestimeve është lënduar një qytetar serb R.K. 1995 me banim në Serbi. Ai është dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë për trajtimin mjekësor. Sipas ekipit mjekësor gjendja e tij është stabile.

Policia thotë se është duke zhvilluar hetime intensive për arrestimin e të dyshuarit i cili e ka lënduar qytetarin e lartë cekur.

Qytetarët serbë të cilët pas përfundimit të festës rreth orës 13:50 janë shpërndarë në drejtim të qytetit të Pejës nën përcjellje të Policisë së Kosovës.