Nga shpërthimi në Fushë-Kosovë lëndohen 4 persona, policia evakuon njerëzit

Kronika May 25, 2018 - 14:58

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për shpërthimin që ka ndodhur në një nga rezervat e një deponie të derivateve në fshatin Miradi, komuna e Fushë-Kosovës.

Për Gazetën Express, Policia ka dhënë detajet për shpërthimin që ndodhi para pak minutash në fshatin Miradi.

Nga ky shpërthim kanë mbetur të lënduar 4 persona.

“Rreth orës 14:00 Policia ka marrë informatën për një shpërthim të ndodhur në një nga rezervuarët e një deponie të derivateve në fshatin Miradi, komuna e Fushë-Kosovës”, thotë Policia.

Policia me të gjitha njësitet e nevojshme si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Deri më tani raportohet për 4 persona të lënduar”, thotë Policia për Express.

Duke parë rrethanat në vendin e ngjarjes, si dhe mundësinë e përhapjes së rrezikut nga zjarri, Policia ka nisur evakuimin e personelit nga vendngjarja dhe varësisht nga rrjedha mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar, që të shmangen pasojat eventuale. /Express/

Image

Image

Image