BSPK reagon pas vdekjes së punëtorit në Fushë-Kosovë

Kronika May 25, 2018 - 09:32
Detajet

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), ka shprehur shqetësimin në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje ku në vend të punës humbi jetën punëtori Valon Berisha, njofton "Zëri.Info".

30 vjeçari, Valon Berisha nga Vasileva e Drenasit është i riu që humbi jetën mëngjesin e së enjtes në vendin e tij të punës.

Derisa aksidentet në vendet e punës veç po rriten, BSPK-ja shpreh indinjatë të thellë për jo gatishmërinë e Qeverisë për të reflektuar sa i përket mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë.

“Edhe përkundër faktit që BSPK-së nga takimet e fundit më Kryeministrin i është premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin maksimal, aktualiteti po tregon se nuk po ndërmerren hapat konkret nga punëdhënësit për të krijuar ambient dhe kushte më të sigurta pune por edhe nga organet kompetente të vendit që të bëjnë një mbikëqyrje me rigoroze lidhur me sigurinë e punëtorëve në punë”, thuhet në komunikatë për media.

BSPK shpreh keqardhje për ndodhinë e djeshme ku në vendin e punës humbi jetën një punëtor dhe njëherit bënë thirrje të organet kompetente që të ndërmarrin hapa konkret që punëtorët sidomos të sektorit privat të kenë mbrojtje dhe siguri më të madhe në punë./ZËRI