Babai që vrau të birin 14 vjeçar në Karaçevë, para disa viteve kishte dhunuar një të mitur

Kronika May 24, 2018 - 16:52
Detajet

Para vrasjes së të birit (14 vjeçar), G.B kishte dhunuar një të mitur, gjë për të cilën kishte mbajtur burg prej nëntë vitesh.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ku 60 vjeçari kishte vrarë të birin e tij të mitur.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Gjilan, Shaban Spahiu ka thënë për Telegrafin se është duke u marrë me rastin në fjalë.

Spahiu tha se për vrasjen e 14 vjeçarit janë duke vazhduar hetimet, ndërkaq trupi i pajetë sipas tij, është dërguar për obduksion në institutin mjeko-ligjorë në Prishtinë.

Ai po ashtu tregoi se ndaj vrasësit, respektivisht babait të të ndjerit, ka bërë kërkesë për paraburgim.

“Nuk mund të flas për detaje në lidhje me këtë rast, vetëm mund të them që e kam dërguar kërkesën për paraburgim. Babai e ka rrahur për vdekje djalin 14 vjeçar. Është ndaluar nga policia dhe hetimet vazhdojnë. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion. Para shumë vitesh personi ka mbajtur burg prej nëntë vitesh për dhunim ndaj një të miture. Ai edhe vetë e ka deklaruar këtë.

Ndërkaq, vrasësi momentalisht gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Karaqevë të Kamenicës, ku babai ka mbytur fëmijën e tij.

Ndaj viktimës L.B, i lindur në vitin 2004 në fshatin Karaqevë, sipas policisë ishte ushtruar dhunë fizike me shkop druri nga babai i tij G. B.

Si pasojë e goditjeve me mjete të forta, fëmija ka ndërruar jetë. Pas dhunës së ushtruar i dyshuari e kishte mbyllur në dhomë deri në ora 24:00.

Sipas hetimeve të para dyshohet se motivet e kësaj ngjarje të rëndë janë për shkak se i ndjeri kishte marrë të hollat dhe i kishte harxhuar pa dijeninë e prindit të tij.

Ndërsa, pas intervistimit me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin Mjekoligjor në Prishtinë, derisa ndaj të dyshuarit caktohet masa e ndalimit prej 48 orë, rasti është i klasifikuar si “vrasje e rëndë”. /Telegrafi