Raporti i autopsisë së Art Kurtit në duar të Prokurorisë së Gjakovës

Kronika May 24, 2018 - 09:33
Lexoni më shumë detaje

Sipas raportit të autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili të mërkurën i është dorëzuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë, gjurmët e barutit janë gjetur në dorën e djathtë të 23-vjeçarit, Art Kurti, anë kjo në të cilën po ashtu është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer akti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Prokuroria Themelore në Gjakovë tashmë ka në duart e saj raportin e autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i cili do të ndihmojë në zbardhjen e motivit të vdekjes së aktorit 23-vjeçar Art Kurtit.

Zyrtarë të këtij Instituti i kanë thënë gazetës Zëri se ky raport i është dorëzuar Prokurorisë përkatëse pas kthimit të analizave për të cilat ishte në pritje IML-ja.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se menjëherë pas kompletimit të këtij raporti, ai i është dorëzuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

LEXO EDHE: Në fund të qershorit nis gjykimi i rastit 'Toka'

“Analizat për Artin janë kthyer dje pasdite dhe raporti është përcjellë për në Prokurori”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai nuk ka dashur t’i komentojë detajet e këtij raporti.

Në anën tjetër kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, i ka konfirmuar gazetës së raporti i autopsisë së Kurtit është dorëzuar në këtë Prokurori gjatë ditës së mërkurë.

Kryeprokurori Selimaj thotë se shenjat në dorën e djathë të aktorit 23-vjeçar tregojnë  gjurmë të barutit, çka bën të dyshohet se arma ishte shkrepur nga vetë viktima.

“Sot e kemi pranuar raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për Art Kurtin. Dorëza e barutit sipas raportit ka dalë në dorën e tij. Gjurmët e barutit kanë dalë në dorën e djathë të viktimës prej së cilës anë edhe është shkrepur arma. Janë shumë elemente që bëjnë të dyshohet se ai ka kryer vetëvrasje”, ka treguar kryeprokurori Selimaj.

Ai ka treguar se në bazë të këtij raporti është shpjeguar mënyra e depërtimit të plumbit në kokën e 23-vjeçarit.

Por ai ka shtuar se për të zbardhur komplet rastin duhet të pritet edhe  raporti balistik.

“Vdekja sipas raportit është bërë në mënyrë të dhunshme, sepse predha ka depërtuar në kokë dhe ka dalë jashtë kokës. Ky emërtim bëhet pasi vdekja s’ka qenë në mënyrë të natyrshme, por me armë. Për të dalë me një përfundim për këtë çështje duhet të presim derisa të vijë edhe raporti balistik”, ka thënë kryeprokurori.

Ditë më parë kryeprokurori Ali Selimaj pati thënë për gazetën se deri më tash as ekzaminimi i telefonatave të Kurtit nuk ka hapur dyshime për ndonjë pistë të mundshme të hetimeve rreth vdekjes së tij.

Sipas tij, prej kontakteve dhe prej numrave të telefonit nuk është zbuluar asgjë që dikush ka mundur ta privojë Kurtin nga jeta.

Trupi i  pajetë i aktorit 23-vjeçar, Art Kurti, ishte gjetur më 24 prill rreth orës 7:50 të mëngjesit pa shenja jete në një veturë.

Policia kishte raportuar se trupi i viktimës ishte gjetur në rrugën Gjakovë – Goden, në vendin e quajtur “Qafa e Zabelit”.