Në fund të qershorit nis gjykimi i rastit 'Toka'

Kronika May 24, 2018 - 09:09
Lexoni më shumë detaje

Pas një pauze disamujore Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën e gjykimit ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla dhe 21 të akuzuarve në këtë çështje penale, i njohur si rasti “Toka”. Procesi gjyqësor ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe 21 të tjerëve do të nisë në fund të qershorit. Lajmin për gazetën “Zëri” e kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj Gjykate

Gjykimi ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla dhe 21 të akuzuarve të tjerë, i njohur si rasti “Toka”, pritet të nisë në fund të qershorit.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas një pauze të gjatë ka caktuar 29 qershorin ditën kur do të nisë gjykimi ndaj 22 të akuzuarve për veprat penale: “Krim i organizuar”, “Pastrim i parave”, “Marrje e mitës”, “Mashtrim i rëndë”, “Mashtrim në detyrë”, “Nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “Evazion fiskal”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, i ka thënëZërise ky rast ishte caktuar të nisë në maj, mirëpo për shkak të disa lëndëve të tjera të shënjestruara gjyqtari i rastit është obliguar ta shtyjë caktimin e gjykimit të këtij rasti për muajin qershor.

“Ju njoftojmë se gjyqtari i kësaj çështjeje fillimisht ka caktuar seancën gjyqësore kundër të akuzuarit A.S. në muajin maj të 2018-s, mirëpo pasi që Gjykatës i është kërkuar nga KGJK-ja që të procedohen me urgjencë lëndët e shënjestruara me shenjën ‘LV’, atëherë gjyqtari i çështjes është obliguar që të shtyjë këtë seancë për në muajin qershor 2018. Andaj ju njoftojmë se seanca gjyqësore kundër të akuzuarit A.S. është caktuar të mbahet më datë 29 qershor 2018, në orën 09.00”, ka thënë Gashi.

Në mars të këtij viti, menjëherë pas kalimit të kësaj çështjeje penale në duar të gjyqtarëve vendorë, ish-komandanti i UÇK Azem Syla ishte liruar nga paraburgimi.

Ish-komandanti i UÇK-së dhe njëherësh ish-deputeti i PDK-së Azem Syla së bashku me  21 persona të tjerë në këtë rast akuzohen për “Krim të organizuar” në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në “Veternik” e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Aktakuza ndaj Sylës dhe të tjerëve ishte ngritur nga një prokuror ndërkombëtar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe përbëhet prej më shumë se 40 pikave.

Të pandehurit në këtë rast akuzohen për veprat penale: “Krim i organizuar”, “Pastrim i parave”, “Marrje e mitës”, “Mashtrim i rëndë”, “Mashtrim në detyrë”, “Nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “Evazion fiskal”.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe të dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.  

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.