Kronika

Dy vjet burg për ish-kryeministrin Gruevski

Dy vjet burg për ish-kryeministrin Gruevski
23 maj 2018 • 17 : 29

Mësojeni edhe vendimin e Gjykatës për Jankulovskan dhe të tjerët

Ish-kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme përfundimtare për rastin "Tanku", ku edhe iu shqiptua dënimi.

Vendim e publikoi gjykatësja Dobrilla Kacarska e cila pranoi kërkesën e PSP-së për dënim me burg për ish-kryeministrin Gruevski.

Ajo e quajti veprën e Gruevskit si "vepër serioze" dhe shtoi se kundër Gruevskit janë ngritur gjithësej pesë aktakuza.

Shpërdorim posti dhe përfitim personal

Veprat e Gruevskit plotësojnë po ashtu elementet për pranimin e shpërblimit dhe plotësojnë elementet e aktakuzës kundër tij. Në këtë rast nuk ka dyshim se ka keqpërdorur pozitën e tij si kryeministër për të blerë Mercedesin, vlerëson gjykatësja Kacarska.

"Askush nuk duhet t'i nënvlerësojë dhe nënçmojë qytetarët e Maqedonisë në mënyrë siç e ka bërë Gruevski. Ai ka bërë gjithçka të mundur dhe kundër ligjeve për të blerë Mercedesin. Ai madje ka shkuar një hap më tej duke aktruar se përdor makinën e vjetër që tek populli të fitojë pikë politike për zgjedhjet lokale”, u shpreh gjykatësja Kacarska. 

Ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski si i akuzuar i parë në rastin "Tanku” nga Gjykata Penale Shkup është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg.

Popovski është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Gruevski për veprën për përfitim personal dhe nxitje për kryerje të veprës penale.

Për të akuzuarën e tretë në këtë rast ish-ministren e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, u nda para një muaji procedura dhe për të seanca është caktuar më 28 qershor.

Avokati i mbrojtjes, Dimitar Dangov, tha para gazetarëve se të pandehurit nuk janë të kënaqur me vendimin për shkak se është sjellë aktvendim dënues, si dhe paralajmëron se do të ngrejë ankesë serioze: "Si palë mbrojtëse në këtë lëndë shprehim keqardhje të madhe për atë që Gjykata Themelore Shkup 1 nuk i pranoi argumentet tona të cilat ishin përmbajtësore" . 

Simpatizuesit e Gruevskit protestojnë

Një grup prej rreth 50 mbështetësish të ish-kryeministrit Nikola Gruevski janë mbledhur para Gjykatës Penale në Shkup dhe po protestojnë kundër vendimit të kësaj gjykate. Midis protestueseve janë ish-kryetari i komunës së Aerodromit Ivica Koneski, ish-kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski dhe disa të tjerë të  përfshirë në rastin "Shuplaka".

[Mazedonien Erstürmung des Parlaments (picture-alliance/dpa/B. Grdanoski)]

Deputetët e VMRO-DPMNE largohen nga seanca e parlamentit

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE ka lëshuar seancën plenare pas aktgjykimit të Gjykatës për ish-liderin e kësaj partie Nikolla Gruevski, i cili u dënua dy vjet burg për rastin e blerjes së "Mercedesit”. Deputetët e opozitës maqedonase fillimisht nuk hynë në sallë, ata janë në koordinim për të marrë vendim për hapat e mëtejmë në punimet e Kuvendit.

Çfarë zbuloi rasti "Tanku”

Rasti "Tanku” ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit nga ana e ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe shefit të furnizimeve publike Gjoko Poposki për blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë mbi gjysmë milionë euro me çka i është shkaktuar dëm buxhetit shtetror. Në vitin 2011 Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për blerjen e një veture që do të kushtonte më së shumti 243.000 euro për shkak buxhetit të varfër të Ministrisë, por me ndikimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar veturë luksoze, ish-ministrja Gordana Jankulovska ka nënshkruar vendimin për blerjen e veturës me vlerë rreth 600.000 euro.

© zëri.info