Gjashtë muaj pas aktgjykimit, rasti MTPT shkon në Apel

Kronika May 23, 2018 - 11:09
Lexo detajet

Gjashtë muaj pas aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-ministrit të Transportit, tashmë zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe katër të tjerëve, rasti i njohur si MTPT ka arritur në Gjykatën e Apelit.

Burime të “Zëri” brenda Gjykatës së Apelit, kanë bërë të ditur se ky rast është dorëzuar  të martën në Apel.

“Ky rast ka arritur në Apel dje”, ka bërë të ditur ky burim.

Ndërkohë i kontaktuar nga “Zëri” mbrojtësi i Limajt avokati Tahir Rrecaj e ka quajtur të vonuar arritjen e këtij rasti në Apel.

“Jam në gjykim, por sidoqoftë qenka  vonuar shumë”, u shpreh Rrecaj.

Përveç Limajt, i cili ishte i akuzuari kryesor në cilësinë e ish-ministrit të MTPT-së, në këtë rast akuzoheshin edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Më 24 nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore e Prishtinës pati shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me të gjitha pikat e akuzës.

Të pafajshëm ishin shpallur edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

 Limaj bashkë me Nexhat Krasniqin dhe Endrit Limajn  akuzoheshin  për krim të organizuar, për shpërdorim detyre si dhe për marrje ryshfeti,

Ndërsa i akuzuari tjetër Florim Zuka akuzohej për dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.

Ish-ministrit i Transportit ishte akuzuar për krim të organizuar nga Prokuroria  Speciale  gjatë kohës sa ishte ministër i Ministrisë së Transportit në vitin 2008. /Zëri