Asnjë i dyshuar edhe 4 vjet pas vrasjes së Elvis Pistës

Kronika May 17, 2018 - 08:39
Lexoni më shumë detaje

Edhe 4 vjet pas vrasjes së Elvis Pistës organet e ndjekjes nuk kanë arritur ta sigurojnë asnjë provë, e cila do të dërgonte te zbardhja e vrasjes së kandidatit të PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës. Prokuroria Themelore e Gjakovës edhe pas intervistimit të disahershëm të dëshmitarëve nuk ka arritur ta identifikojë ndonjë të dyshuar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

As katër vjet nga vrasja e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista, organet e ndjekjes nuk kanë arritur ta identifikojnë asnjë të dyshuar. Vrasja e Pistës ishte bërë në natën e 15 qershorit të vitit 2014, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, ku ai kishte dalë më i votuari i PDK-së, pas kreut të kësaj partie në atë kohë Hashim Thaçit, në komunën e Rahovecit. Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila është duke e hetuar këtë rast, nuk ka arritur ende të gjejë ndonjë provë, e cila do të dërgonte në përfundimin e misterit të vrasjes së Pistës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ali Uka, i cili është duke e hetuar këtë rast, i ka thënë gazetës “Zëri” se edhe pse kanë intervistuar secilin person të mundshëm që në çfarëdo mënyre ka qenë i lidhur me Pistën, nuk kanë arritur ende të sigurojnë ndonjë detaj që do t’i dërgonte te zbardhja e vrasjes. “Njëherë për njëherë ende asgjë s’ka. Kemi intervistuar çdo dëshmitar të mundshëm, nganjëherë kemi urdhëruar që dëshmitarët të intervistohen nga dy herë në Polici, por prapë nuk kemi arritur të zbulojmë diçka që do të dërgonte te ndonjë i dyshuar”, është shprehur prokurori Uka. Ai tha se i kanë shtjerrë të gjitha burimet e mundshme, të cilat do të ndihmonin në këtë rast, por pa asnjë sukses. “Këto ditë do t’i thërras prapë hetuesit policorë dhe do të konsultohem prapë me ta, të shikojmë se si do t’ia bëjmë më tutje, në mënyrë që mos ta lëmë lëndën të pushojë, por ta kemi aktive. Për momentin siç janë rrethanat është vështirë. I kemi shtjerrë të gjitha burimet e mundshme, të cilat do të mundë të na dërgonin te të dyshuarit”, shprehet Uka.

Gazeta ka provuar ta kontaktojë edhe familjen e Pistës, mirëpo të njëjtit nuk kanë dashur të deklarohen, për ndryshim prej herëve të tjera.

Këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Florent Spahija, thotë se ky rast është dashur të merret më seriozisht nga organet e drejtësisë e në këtë rast nga Prokuroria e Gjakovës. Ai pohon se rasti “Pista” nuk është i vetmi për të cilin ende nuk ka ndonjë epilog. “Si shumë raste të cilat nuk kanë marrë epilog, edhe rasti ‘Pista’ ende nuk ka zgjidhje nga Prokuroria e Shtetit. Ne vazhdimisht kemi dëgjuar se është duke u hetuar ky rast dhe se janë afër gjetjes se autorëve të krimit. Mirëpo ne asnjëherë nuk kemi parë veprime direkte, nuk kemi asnjë të dyshuar, të arrestuar, të ndaluar në lidhje me këtë çështje. Duke pasur parasysh që rasti ka qenë i ndjeshëm për publikun, atëherë Prokuroria është dashur të merret seriozisht me hetimet në këtë rast, që t’i japë epilog çështjes”, shprehet Spahija.

Sipas tij, Prokuroria Themelore e Gjakovës, duke e parë mungesën e kapaciteteve për ta hetuar këtë rast, do të duhej ta dorëzonte te Prokuroria Speciale. “Prokuroria Themelore e Gjakovës, duke e parë që ka mungesë të kapaciteteve për ta hetuar këtë rast, atë ta dorëzojë te Prokuroria Speciale e Kosovës, që kjo e fundit ta marrë rastin dhe ta përfundojë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë është Prokurori relativisht e re dhe rastet e rënda të vrasjeve mund të paraqesin problem në gjetjen e kryesve dhe në zbulimin e ngjarjes. Kjo mund të ishte një arsye shtesë që lënda të dërgohet për hetim në Prokurorinë Speciale”, thotë Spahija. Mosveprimi në raste të tilla, ku interesimi i publikut është shumë i lartë, por edhe në raste të tjera, sipas tij, e bën shumë pak të besueshëm institucionin e Prokurorit të Shtetit për qytetarët.

Ndryshe, Elvis Pista ishte vrarë natën e 15 qershorit të vitit 2014, duke u qëlluar 4 herë nga prapa shpinës me silensiator. Ai ishte qëlluar derisa po dilte nga restorant “Jaha Petrol” në Rahovec, ku ishte bashkë me bashkëshorten dhe disa miq të tij.

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Elvis Pista, në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të vitit 2014 kishte deklasuar kundërkandidatët e tij nga partitë e tjera, duke u bërë njeriu më i votuar në të gjithë komunën e Rahovecit, derisa në nivel partie në Rahovec vetëm Hashim Thaçi kishte marrë më shumë vota se Pista.