Kronika

Katër muaj nga vrasja e Ivanoviqit, Prokuroria Speciale ende në fazën e intervistimit

Katër muaj nga vrasja e Ivanoviqit, Prokuroria Speciale ende në fazën e intervistimit
16 maj 2018 • 17 : 08

Lexoni më shumë detaje

Sot janë bërë katër muaj që nga vrasja e liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

E dy muaj janë bërë që kur Prokuroria Speciale e Kosovës është duke u marrë me rastin në fjalë.

Mirëpo, as para se Prokuroria Speciale të përfshihet në zbardhjen e këtij rasti, as pasi që kjo prokurori filloi të merret me të, nuk ka të dyshuar ose fakte të cilat mund të dërgojnë në gjetjen e kryerësve të këtij krimi.

Një muaj më parë, në një përgjigje për lajmi.net nga Prokuroria Speciale ishte bërë e ditur që hetimet janë në fazën e mbledhjes së provave dhe në atë periudhë nuk kishte asnjë të dyshuar.

“Deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave, të gjithë këta në cilësi të dëshmitarëve. Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ende nuk kemi asnjë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për lajmi.net.

E një përgjigje të ngjashme ka marrë edhe sot lajmi.net nga Prokuroria Speciale, përmes së cilës bëhet e ditur se prokuroria është ende në mbledhjen e informatave si dhe në fazën e intervistimit të atyre që mund të kenë detaje lidhur me këtë rast.

“Prokuroria ende është në mbledhjen e informatave si dhe në fazën e intervistimit të personave të ndryshëm që kanë informata lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për lajmi.net.

Ivanoviq u vra më 16 janar afër zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

© zëri.info