6 vjet pas, drejtësia kosovare heq dorë nga ndjekja e Xhabir Zharkut

Kronika May 16, 2018 - 07:55
Lexo detajet

Gjashtë vjet pas qëndrimit të tij në arrati nga drejtësia kosovare ish-kreu i Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku tashmë gëzon të drejtën e lirisë si çdo qytetar tjetër. Më 11 maj Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega e Kaçanikut, ka ndërprerë ekzekutimin e dënimit ndaj tij, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nga 11 maji i këtij viti ish-kreu i Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku nuk ndiqet më penalisht nga drejtësia kosovare. Zharku tashmë edhe zyrtarisht ka marrë dritën e gjelbër  nga organet e ndjekjes për ardhjen e tij në Kosovë.

LEXO EDHE: Prokurori që ishte i autorizuar në 10 biznese private

Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik, ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit ka ndaluar ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj Zharkut, për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

Zyrtarja për medie në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Albënora Bekteshi, për gazetën “Zëri” ka treguar se ndalimi i ekzekutimit të dënimit është bërë pasi sipas Nenit 92, paragrafi 5 i KPK-së është përcaktuar se dënimi i shqiptuar nuk mund të ekzekutohet pasi të kenë kaluar tre (3) vjet nga dënimi me mbi një (1) vit burgim. Bekteshi thotë se sipas Nenit 94, paragrafi 5 i KPK-së, ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet nga Ligji për Afatin e Parashkrimit, gjegjësisht ndalimi absolut i ekzekutimit të dënimit.

Zyrtarja për medie në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Albënora Bekteshi, për gazetën “Zëri” ka treguar se ndalimi i ekzekutimit të dënimit është bërë pasi sipas Nenit 92, paragrafi 5 i KPK-së është përcaktuar se dënimi i shqiptuar nuk mund të ekzekutohet pasi të kenë kaluar tre (3) vjet nga dënimi me mbi një (1) vit burgim.

Bekteshi thotë se sipas Nenit 94, paragrafi 5 i KPK-së, ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet nga Ligji për Afatin e Parashkrimit, gjegjësisht ndalimi absolut i ekzekutimit të dënimit.

“Gjykata më 11 maj 2018, me aktvendimin e evidentuar si: ED.nr.30/12, duke u bazuar në dispozitën e Nenit 92, paragrafi 1 nën paragrafi 6 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK-së) ka ndaluar ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj të pandehurit Xhabir Zharku, për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës dhënë gazetës “Zëri”.

Zharku ishte dënuar me tre vjet heqje lirie dhe 1.500 euro gjobë nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, më 21 prill 2011, pasi ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale “Të  detyrimit” dhe “Të posedimit të paligjshëm të armës”.

Ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012. Shpresat për arrestimin dhe për vuajtjen e dënimit të Zharkut ishin shuar në prill të vitit 2016, kur autoritetet suedeze kishin refuzuar të bashkëpunonin me autoritetet kosovare për ekstradimin e Zharkut nga Suedia në Kosovë.

IKD: Kjo dëshmon pandëshkueshmërinë dhe paprekshmërinë e të fuqishmëve

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtës, Betim Musliu,  thotë se institucionet e drejtësisë dështuan edhe në këtë rast si në shumë raste tjera.

Sipas Musliut, arratisja e Zharkut ka ndodhur si shkak i mosveprimit të institucioneve të drejtësisë.

“Në momentin e arratisjes së Xhabir Zharkut nga Kosova përmes një rruge të lehtë pa asnjë pengesë, IKD-ja ka reaguar ndaj dështimit të institucioneve të drejtësisë për ta menaxhuar si duhet ekzekutimin e kësaj lënde deri në përfundim. Aso kohe IKD-ja ka paralajmëruar se arratisja e Zharkut ka ndodhur në koordinim të plotë, duke parë mosveprimin e institucioneve të drejtësisë për ta parandaluar ikjen nga vuajtja e burgimit efektiv të shqiptuar nga Gjykata”, thotë Musliu.  

Ai pohon se një person i dënuar për vepër penale arrin që t’i shmanget sistemit të ndëshkimit në Kosovë pa asnjë pengesë dhe mosefikasiteti në trajtimin e rastit si duhet ia ka mundësuar Zharkut të jetë i lirë pa asnjë pasojë.

“Zharku tani nuk bart asnjë përgjegjësi dhe nuk ka pengesa që t’i kthehet jetës në Kosovë, meqë Gjykata ka nxjerrë aktvendim për arritjen e afatit të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit me burgim efektiv. Kjo dëshmon gjetjet e vazhdueshme të IKD-së për pandëshkueshmërinë dhe paprekshmërinë e të fuqishmëve, sidomos të politikës dhe të grupeve të fuqishme të interesit”, shprehet Musliu.

Ai thotë se mungesa e efikasitetit të mekanizmave të llogaridhënies ka sjellë këtë situatë, për të cilën tashmë të gjithë përgjegjësit do të duhej të dilnin para përgjegjësisë.

Por krejtësisht normale e sheh këtë çështje avokati  Tomë Gashi, i cili thotë se as rasti i ish-drejtoreshës së Post Telekomit të Kosovës (PTK) dhe i Zharkut nuk janë raste të parat e as të fundit.

Gashi: Zharku në mënyrë krejtësisht të lirë ishte larguar nga Kosova

Ai thotë se është obligim ligjor i gjykatave që të nxjerrin vendim për heqjen e urdhërarrestimit për Zharku, e njëjta situatë vlen edhe për Leme Xhemën, meqenëse rastet e tyre janë vjetërsuar. Sipas Gashit, këto dy raste nuk janë të vetmet që të dënuarit  janë arratisur dhe pas parashkrimit të ekzekutimit të dënimit ndaj tyre janë kthyer. Ai shprehet se janë me mijëra raste të tilla.

“Ky nuk është spektakël ligjor, nuk është që ka ndodhur vetëm për këta dy persona, ka ndodhur me qindra persona në Kosovë. Kështu që nuk mund të merret si një rast, i cili ka ndikim në drejtësinë e Kosovës. Ne e dimë çfarë sistemi juridik e kemi, e dimë që në shumë sfera çalon, e dimë që duhet dhe mund të përmirësohet, por kjo nuk ka të bëjë fare me këto dy raste të cilat përmenden  vazhdimisht për shkak të emrave të tyre dhe të pozitave që i kanë mbajtur”, ka thënë Gashi.

Se ikja e tyre u mundësua nga organet e ndjekjes nuk e mohon as avokati Gashi.

“Unë nuk mund të them se Leme Xhema dhe Xhabir Zharku janë lejuar të ikin prej Kosove, por e di që asnjëri prej tyre nuk ka pasur fletarrestim dhe në mënyrë krejtësisht të lirë janë larguar për një periudhë kohore derisa ka ardhur te vjetërsimi i lëndëve”, është shprehur Gashi.

Rrjedha e procedurës në këtë rast

Gjykata Themelore në Ferizaj ka treguar se më 3 tetor 2012, Gjykata Komunale në Kaçanik kishte pranuar propozimin për ekzekutim të dënimit me burgim P.nr.57/10, të datës 19 shtator 2012, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Gjykata Komunale e Kaçanikut më 24 tetor 2012, kishte ftuar Zharkun që të paraqitet në Gjykatë për vuajtjen e dënimit, ndërsa më 13 dhjetor 2012 ishte lëshuar urdhëresë për dërgimin e tij me dhunë në vuajtje të dënimit.

Një ditë më vonë, më 14 dhjetor të po atij viti, Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj kishte njoftuar Gjykatën se i ish-kryetari i Kaçanikut sipas familjarëve të tij nuk gjendej në shtëpi dhe ai sipas informatave të tyre gjendej në Suedi. Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik, më 9 janar 2013 i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë, Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (DBJN), me kërkesë për lëshimin e letër rreshtimit ndërkombëtar.

Mirëpo më 25 mars 2013, kjo Gjykatë ishte njoftuar nga MD-ja se ekstradimi i të pandehurit nga shteti i Suedisë në Kosovë nuk mund të realizohet, pasi ai ka edhe shtetësinë suedeze.

Një muaj më vonë, më 29 prill 2013, Gjykata kishte kërkuar nga DBJN-ja në kuadër të MD-së që ekzekutimi i dënimit me burgim të bëhet në shtetin e huaj, përkatësisht të Suedisë.

Por as kjo nuk kishte rezultuar me sukses. Më 12 prill 2016 Gjykata në fjalë kishte pranuar përgjigjen e autoriteteve suedeze, të cilët kishin refuzuar ekstradimin e Zharkut pasi ai kishte shtetësi suedeze.