Kronika

Prokurori që ishte i autorizuar në 10 biznese private

Prokurori që ishte i autorizuar në 10 biznese private
16 maj 2018 • 07 : 53 Foto: Driton Bublaku

Lexo detajet

Fitnete Rrahimi

Fatos Ajvazi përveç punës prej prokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ishte i autorizuar në 10 biznese të tjera private, derisa iu “tërhoq” vërejtja  përmes një shkrese zyrtare të lëshuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) se gjendja e tij mund të përbënte konflikt të mundshëm interesi. Por Ajvazi ishte zotuar se që nga marrja e detyrës së prokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ka hequr dorë nga autorizimi në këto biznese, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbyllur rastin e prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit Fatos Ajvazi, i cili dyshohej për konflikt interesi për shkak të autorizimit në 10 biznese private.

Në vendimin e Antikorrupsionit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se rasti i Ajvazit është mbyllur për shkak se zyrtari i lartë e ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit.

LEXO EDHE: Me rëndësi pjesëmarrja

“Rasti i hapur nën dyshimin e bazuar për konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë z. Fatos Ajvazin, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit dhe njëkohësisht person i autorizuar në bizneset private ‘Antika 01’, ‘Pizzeria Napoli’, ‘D-Group’, ‘Billbordat’, ‘Karrota Ads’, Shkolla e Mesme Profesionale, ‘Heron & Adea’, ‘Alta Group’, ‘Stroka-Kos’ dhe ‘Isprigs’, është trajtuar sipas procedurës së paraparë në Ligjin Nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Duke iu referuar vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsionit, bëhet e ditur se zyrtari i lartë është njoftuar me një shkresë zyrtare nga Agjencia Kundër Korrupsionit për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit.

“Pas pranimit të kësaj shkrese zyrtari i lartë z. Fatos Ajvazi është njoftuar për gjendjen e konfliktit të interesit në të cilën ndodhej dhe për ndryshimet që duhet t’i bëjë për ta shmangur gjendjen e konfliktit të interesit”, theksohet më tutje në vendim.

Ndonëse prokurori në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Fatos Ajvazi, është deklaruar se me të marrë detyrën nuk e ushtron më funksionin si person i autorizuar në bizneset private të cekura më lart, Agjencia Kundër Korrupsionit paralajmëron rihapjen e rastit në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

“Zyrtari i lartë z. Fatos Ajvazi është deklaruar se nga marrja e detyrës së prokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit nuk e ushtron funksionin si person i autorizuar në bizneset private të cekura më lart, ndërsa gjendja ka mbetur e pandryshuar sepse pronarët e këtyre bizneseve nuk kanë marrë veprime për ta larguar nga funksioni personin e autorizuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve”, bëhet e ditur në vendim.

Në Antikorrupsion thonë se kanë pranuar shkresat zyrtare, me të cilat dëshmohet se zyrtari i lartë është larguar nga funksioni si person i autorizuar në bizneset private të cekura më lart. Ky vendim është nënshkruar nga drejtori i Agjencisë, Shaip Havolli.

© zëri.info