Më të rejat e raportit të autopsisë për dy policët e zhdukur

Kronika May 15, 2018 - 19:19
Lexo detajet

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka dhënë detaje nga ekspertiza e komunikacionit lidhur me aksidentin e 28 prillit, në të cilin humbën jetën dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Armend Trena dhe Malsor Dashi.

Sipas kryeprokurorit të Ferizajt, ekspertiza e komunikacionit dëshmon se aksidenti i dy policëve ka qenë vetaksident.

Po ashtu, kryeprokurori Shukri Jashari foli edhe për gjendjen e veturës me të cilën dy policët ranë në ujërat e lumit Lepenc në mbrëmjen e 28 prillit.

Jashari tha për KALLXO.com se sipas ekspertizës, vetura ka qenë në rregull teknikisht.

“Ndërsa, policët kanë qenë duke vozitur me shpejtësi 35-40 km/h”, theksoi Shukri Jashari.

Në një deklaratë për KALLXO.com kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka konfirmuar po ashtu se kanë pranuar raportin e autopsisë, i cili ka sqaruar detajet e vdekjes së dy policëve.

“Kemi marrë raportet e obduksionit për të dy policët, Armend Trenën dhe Malsor Dashin. Sipas raportit del se trupat e dy policëve kanë vdekur para se të bien në lumin Lepenc”, tha kryeprokurori i Ferizajt për KALLXO.com.

Dy policët e Kosovës, Malsor Dashi e Armend Trena humbën jetën kur me veturën zyrtare ranë në ujërat e lumit Lepenc në mbrëmjen e 28 prillit.

Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë.