Gjykata i lë në paraburgim dy të arrestuarit e djeshëm për plagosje në ‘Arbëri’

Kronika May 15, 2018 - 16:09
Lexoni më shumë detaje

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka marrë vendim për dy persona të cilët gjatë ditës së djeshme në lagjen “Arbëria” u përfshinë në një plagosje, raporton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Pamje nga arrestimi i dy personave në Prishtinë (VIDEO)

Përmes një njoftimi për media, gjykata ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj G. K dhe G. K, të cilët gjatë arrestimit kanë sulmuar edhe zyrtarët policor.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.K dhe G.K për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 lidhur me nenin 28 të KPK-së, veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPK-së, veprës penale Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 410 par.2 të KPK-së dhe veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja e substancave narkotike apo substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 të KPK-së.

Të pandehurve G.K dhe G.K iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.15.05.2018 deri me dt.15.06.2018.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1, nënpar1.1 dhe 1.2 të KPRK-së.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.