Kandidati për kryetar të Mitrovicës dyshohet për keqpërdorim të 240 mijë eurove

Kronika May 09, 2018 - 19:47
Lexoni më shumë detaje

Kandidati për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e fundit, Nystret Preteni po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij duke i shkaktuar dëme një kompanie private në vlerë të madhe financiare.

Kandidati i partisë së Gëzim Kelmendit, “Partia Fjala” punonte si menaxher i shitjes në kompaninë “N.SH Artstudio”.

Gjatë periudhës 9 mujore, Preteni dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij duke i shkaktuar kompanisë ku punonte humbje të mëdha financiare.

Dyshohet se Preteni kishte bërë falsifikimin e vulave dhe të dokumenteve duke përvetësuar para të majme.

Zyrtarë të kompanisë “N.SH Artsudio” kanë thënë për Indeksonline se vlera e dëmit që ish punëtori i ka shkaktuar firmës së tyre është 239.500 euro.

"Ishte menaxher i shitjes në kompaninë tonë. Dukej i sinqert, bazuar edhe në bindjet e tij fetare. Por, dyshimet në të filluan pak muaj pasi filloi tek ne. Prej muajit prill ai ka fillu me falsifikim dhe mashtrime në firmën tonë. Ai e porosiste mallin dhe thoshte se po e dërgon në ETC. Në mbramje e dërgonte fakturën me vulë identike si të ETC-së, por e cila doli të ishte false. Kur ne kërkonim llogari dhe takime të punës, ai gjithmonë kishte arsyetime të ndryshme. Kur ne kërkonim kontakt me zyrtarët e kompanive bashkëpunuese, na i jipte disa numra të njerëzve që në dyshojmë se kishte bashkëpunim me ta për t’i bërë këto dallavere.  Arrestimi i tij është bërë në Pejë pasi që janë vërejtur manipulimet që i ka bërë edhe me vulat e ETC-së. Vlera e dëmit që i ka shkaktuar kompanisë tonë është 239.500 euro”, ka thënë një zyrtar i kompanisë ku Preteni ishte menaxher i shitjes.

Pas arrestimit, Preteni ishte në paraburgim afro 2 muaj ndërsa është liruar pak ditë më parë. Indeksonline ka kërkuar sqarime nga Prokuroria e cila është e njoftuar me rastin.

“Ju njoftoj se ndaj të pandehurit N.P. është duke u zhvilluar procedura hetimore në drejtim te veprave penale “mashtrim i mbetur në tentativë” nga neni 335 të KPRK-së, “falsifikim i dokumenteve” nga neni 398 të KPRK-së dhe vepër penale “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 të KPRK-së.

Në këtë çështje penale janë ndërmarrë disa veprime hetimore, jemi në pritje edhe të ekspertizës financiare, ndërsa sa i përket paraburgimit i pandehuri N.P. i njëjti ka qenë në paraburgim në bazë të vendimit të Gjykatës, derisa kjo masë i është zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak për shkak se kanë pushuar kushtet për të cilat është caktuar paraburgimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Indeksonline ka tentuar të kontaktoi Nysret Pretenin, por që i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e vazhdueshme telefonike.

Ndryshe, Preteni paraqitet në rrjetet sociale si besimtar i devotshëm.

Duke besuar në zot e drejtësi, Preteni pretendonte të fitonte garën për Mitrovicën. Ekonomisti që provoi veten në politikë është njeri i afërt i Gëzim Kelmendit me të cilin shihet në disa aktivitete./Indeksonline/

Image