Policia jep detaje rreth gjetjes së trupit të policit të zhdukur

Kronika May 07, 2018 - 18:41
Detajet

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth gjetjes së trupit të pjesëtarit të dytë të saj që ishte zhdukur në ujërat e lumit Lepenc më 28 prill.

Trupi i policit Armend Trena është gjetur sot në ujërat e Lepencit në hyrje të Hanit të Elezit.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi, tha në vendin e ngjarjes së trupi i policit është gjetur rreth orës 16:45, në vendin e quajtur Ura e Fejzës.

Sipas Gashit, trupi i policit Trena është gjetur në operacionin e përbashkët të ekipeve të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, FSK-së dhe Policisë.

Sipas zëdhënësit të Policisë, trupi i policit është identifikuar nga familjarët e tij.

LEXO EDHE: Thaçi ngushëllon familjen Trena

Trupi i policit Armend Trena është gjetur në ditën e 10-të të kërkimeve në Lepenc, 4 ditë pas gjetjes së trupit të kolegut të tij, Malsor Dashi, me të cilin me veturën zyrtare kishin rënë në lumë nga rruga magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit. /KALLXO.COM