Biznesmeni nga Kamenica tenton t’ia vë flakën vetes për ta mbrojtur tokën

Kronika April 26, 2018 - 14:12
Lexo detajet

Pronari i kompanisë së ujit “Kika” ka tentuar ta hedhë veten në erë me një bidon benzinë, për shkak se Gjykata Themelore e Gjilanit, dega në Kamenicë, ka vendosur që mbi një pronë të tij të kalojnë telat e tensionit të lartë të rrymës të një kompanie tjetër.

Pamjet të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi shihet pronari Abdullah Bajra, i cili me një shkrepëse tenton t’ia vë flakën një bidoni me benzinë dhe kështu ta djegë veten.

Policia ka ndërhyrë duke e arrestuar pronarin, dy djemtë e tij.

Djali i tij, Arbnori, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe më pas është liruar, e ka konfirmuar rastin për Insajderin.

“Sot kemi dalë për ta mbrojtur pronën tonë, të cilën synon ta tjetërsojë një kompani turko-kosovare, Erë Energy, duke i kaluar telat e rrymës së tensionit të lartë përmes pronës sonë, pa lejen tonë”, ka thënë Arbnor Bajra.

Ai ka thënë se në atë pronë kanë nisur të investojnë për kompaninë e tyre. Por, sipas tij, këtë pronë me vendim të Gjykatës Themelore të Gjilanit, dega në Kamenicë, telat e rrymës do të kalojnë mbi këtë pronë, duke ua pamundësuar investimin.

“Nëse bëhet shtrirja e atij telit, ne nuk mund të investojmë asgjë në atë pronë. Ne kemi pasur ta bëjmë aty një repart të ri për prodhimin e azotit dhe oksigjenit, sepse ne merremi me ujë, e kemi fabrikën e ujit “Kika”. Na kemi nisur pak këtë investim, e kemi rrafshuar vendin, kurse ata i kanë shtrirë telat përmes pronës dhe ne jemi t’u mundu me mbrojt”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai ka thënë se Gjykatës ia kanë dhënë dy opsione, të cilat nuk i ka marrë parasysh.

“Kemi qenë edhe në gjykatë, e cila e ka sjellë vendimin e njëanshëm për ata, dhe nuk i kanë marrë parasysh dy opsionet që ua kemi ofruar – ose telat të shtihen nën tokë; ose anash pronës ku nuk na pengon. Gjykata ka thënë që ata kanë të drejtë dhe na jo”, ka thënë tutje Arbnor Bajra për Insajderin.

Ai e ka konfirmuar se në video është babai i tij për të cilin thotë se deshi ta digjte veten si zgjidhje e vetme në mbrojtje të pronës.

“Në video është në video, si zgjidhje të fundit e ka parë si të udhës që ta djegë veten, pasi nuk pasur zgjidhje tjetër. Këtë ka tentuar ta bëjë me benzinë të cilën ka tentuar ta ndezë me shkrepëse”, ka deklaruar ai.

Në këtë rast policia ka ndërhyrë duke e arrestuar pronarin, dy djemtë e tij.

Këtë rast e ka konfirmuar për Insajderin edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, duke thënë se djemtë e tij janë liruar, kurse pronari ende është në arrest./