Shtyhet seanca e imamëve që akuzohen për terrorizëm

Kronika April 25, 2018 - 09:39
Lexo detajet

Mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues ka bërë që të shtyhet seanca kundër Enes Gogës, Fuad Ramiqit, Bedri Robajt, Mazllam Mazllami dhe Idriz Bilibani, të cilët akuzohen për përfshirje në vepra të terrorizmit, raporton “Zëri.info”.

Kryetari i trupit gjykues njoftoj palët se njëri anëtar i trupit gjykues ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të jetë i pranishëm në seanca.

Seanca u caktua më 14 maj në ora 13:30.

Prokurori i Prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj tha se ishte i përgatitur për fjalën përfundimtare, mirepo nëse trupi gjykues nuk është i kompletuar dhe më mirë do të ishte të shtyhet seanca

“Më mirë është mu shty se sa më vonë me na thënë për juve e kemi bërë. Unë jam i përgatitur për sot, mirëpo ju vlerësoni”,tha prokurori.

Edhe mbrojtja ishte e përgatitur për fjalën përfundimtare por tha se në mungesë të kompletimit të trupit gjykues nuk do të duhej të vazhdonte seanca.

Mbrojtësi i Mazllam Mazllamit, avokati Bajram Tmava paralajmëroj se i mbrojturi i tij do të mbrohet në heshtje.

“Meqenëse s’ka kushte, dhe anëtari i trupit gjykues paska probleme shëndetësore, jemi që kjo seancë të shtyhet”, tha Tmava, raporton tutje “Zëri.info”.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”.

I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në “Youtube”, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI. Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë. /Zëri/