Art Kurti gjendet i vdekur, dyshohet se u vetëvra

Kronika April 25, 2018 - 08:17
Lexo detajet

Aktori dhe zyrtari i Komunës së Gjakovës, Art Kurti, në mëngjesin e së martës u gjet i vdekur në një veturë në rrugën Gjakovë-Goden. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit të vdekjes së 23-vjeçarit. Dyshimet e para sipas organeve të hetuesisë janë se i njëjti ka kryer vetëvrasje. Në veturën ku u gjet trupi i pajetë i tij është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, një gëzhojë dhe një plumb, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mëngjesi i së martës nuk zbardhi për aktorin dhe zyrtarin e Komunës së Gjakovës Art Kurtin. 23-vjeçari u gjet i vdekur rreth orës 07:50 në një veturë në rrugën Gjakovë-Goden, në vendin e quajtur Qafa e Zabelit.

LEXO EDHE: Emrat e kandidatëve për drejtor të burgjeve shkojnë në Qeveri

Dyshimet e para të organeve të hetuesisë janë se viktima ka kryer vetëvrasje. Në veturën ku është gjetur aktori pa shenja jete organet e hetuesisë kanë gjetur armën me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, për gazetën “Zëri" ka thënë se kanë nisur hetimet për ta zbardhur shkakun e vdekjes së aktorit Art Kurti.

Kryeprokurori ka thënë për “Zërin” se dyshimet e para janë që viktima ka kryer vetëvrasje.

Më tej ai tha se Prokuroria po pret ekzaminimin e trupit të viktimës dhe të armës që është gjetur në veturë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

“I kemi dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore trupin e tij bashkë me armën, telefonin dhe predhën që është gjetur. Ende nuk i dimë shkaqet e vdekjes, sipas hetimeve paraprake dyshohet që ka bërë vetëvrasje. Janë marrë disa veprime hetimore dhe gjatë kësaj kohe janë duke u ndërmarrë. Mirëpo ende është herët të flasim për këtë”, ka thënë Selimaj.

Kryeprokurori thotë se arma e cila është gjetur në veturën e aktorit nuk është e regjistruar.

“Arma është pa leje dhe është gjetur në automjet te Qafa e Zabelit, një fshat në brezin kufitar me Shqipërinë. Ai ka qenë i goditur në kokë, plumbi e ka shpuar kokën, duke dalë në anën tjetër, jashtë veturës. Edhe ky plumb është dërguar në ekzaminim bashkë me gëzhojën dhe armën. Tash do të shohim nëse plumbi që e ka goditur ka qenë i armës që është gjetur në veturë apo i ndonjë arme tjetër”, tregoi Selimaj.

Art Kurti ka qenë zyrtar në Komunën e Gjakovës, ndërsa më herët ka punuar si kameraman. Ai po ashtu njihet edhe për rolin e tij në serinë “O sa mirë”.

Brenda dy ditëve dy raste të dyshuara si vetëvrasje në Gjakovë

Rasti i aktorit 23-vjeçar nuk është rasti i vetëm i vetëvrasjes që dyshohet të jetë kryer në Gjakovë gjatë këtyre ditëve. Një ditë më parë Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës ka bërë të ditur se një 41-vjeçar është gjetur i vdekur. Sipas hetimeve të para të Policisë, i njëjti ishte vetëvarur.  

F. Syla kishte qenë i zhdukur për dy ditë dhe pas lajmërimit të familjarëve të tij ai ishte gjetur i vdekur në katin e shtëpisë së tij.

Numri i vetëvrasjeve në Kosovë që nga paslufta kishte shënuar rritje. 

Menjëherë pas përfundimit të luftës numri i vetëvrasjeve në vend brenda një viti kishte arritur në 80 të tilla. Ndonëse numri i vetëvrasjeve në vitet e para të pasluftës ishte i madh, numri i tentimvetëvrasjeve nuk ishte i lartë siç është rritur viteve të fundit. Derisa në vitin 2001 numri i tentimvetëvrasjeve ishte 41 raste, në vitet e fundit 

kjo shifër ka arritur mbi 200 tentimvetëvrasje.

32 persona i dhanë fund jetës së tyre gjatë vitit 2017

77 persona ia morën vetes jetën në vitin 2014, ndërsa 261 prej tyre tentuan t’i japin fund jetës së tyre. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2015 numri i vetëvrasjeve kishte shënuar rënie në 60 raste, duke i krahasuar me vitin paraprak.

Por jo edhe numri i tentimvetëvrasjeve, i cili kishte arritur në 219 tentimvetëvrasje. Në vitin 2016 numri i vetëvrasjeve kishte rënë pothuajse përgjysmë me vitin paraprak. Gjatë këtij viti ishin kryer 37 vetëvrasje dhe ndërsa numri i tentimvrasjeve kishte arritur në 229 raste.

Viti 2017, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, lirshëm mund të thuhet se ka shënuar rënien më të madhe të numrit të vetëvrasjeve. Në vitin e kaluar numri i vetëvrasjeve kishte rënë në 32 raste dhe 216 tentimvrasje.