Inspektorati Policor konfirmon hetimin e policëve që arrestuan Marko Gjuriqin

Kronika April 24, 2018 - 15:54
Pas kërkesës së zëvendësministrit serb, nisin hetimet për policët që arrestuan Gjuriqin

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Millan Radojeviq, kishte kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës që të hetohen të gjithë policët e Njësisë Speciale të Kosovës, që morën pjesë në aksionin për arrestimin e Marko Gjuriqit, raporton “Zeri.info”.

Duke folur për mediet lokale në veri të Mitrovicës, Radojeviq ka konfirmuar se Inspektorati Policor i Kosovës edhe zyrtarisht ka filluar hetimet për të dëshmuar përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ku është lënduar ministri Nenad Rikallo dhe disa të tjerë, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Nisin hetimet ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Në lidhje me kërkesën e zëvendësminsitrit Millan Radojeviq, ka reaguar IPK-ja përmes një njoftimi për medie.

Sipas IPK-së, ankesa nga Radojeviq, ishte lidhur më disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve Policor, transmeton “Zeri.info”.

“Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Më poshtë gjeni të plotë njoftimin e IPK-së:

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK-së) është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Në përputhje me këtë mision dhe fushëveprimin ligjor IPK merr masa dhe veprime hetimore në rastet kur dyshohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin e PK-së dhe aktet tjera nënligjore të Policisë.

Edhe në lidhje me rastin e arrestimit të z. Marko Gjuriq, IPK respektivisht Departamenti i Hetimeve ka filluar me mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë operacion policor, IPK ka pranuar një ankesë nga zv. Ministri i Punëve të Brendshme z. Milan Radojeviq, lidhur më disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve Policor.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent.