Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministrit Ferid Aganit

Kronika April 24, 2018 - 10:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Gjykata Themelore e Prishtinës për herë të dytë ka konfirmuar aktakuzën kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Gani Shabanin, raporton "Zeri.info".

Gjyqtarja e rastit Shadije Gerguri ka marrë vendim që aktakuza ndaj dy ish-zyrtarëve të MSH-së të konfirmohet,  duke i kundërshtuar ankesat e mbrojtësve për hedhjen e kësaj aktakuze.

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka bërë të ditur mbrojtësi i Gani Shabanit, avokati Nikë Shala.

Avokati Shala paralajmëroj ankesë në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar këtë vendim.

“Kundërshtimet që i kemi bërë ne pala mbrojtëse gjyqtarja i  ka refuzuar , duke e lënë kështu aktakuzën në fuqi.  Brenda afatit ligjor në do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit”, thotë Shala.

Sipas tij,  Gjykata e Apelit e  kishte aprovuar ankesën mbrojtësve  duke e kthyer rastin në rivendosje. 

Avokati tha se kjo aktakuzë nuk duhet të aprovohet, pasi sipas tij prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi e ka ngritur aktakuzën jashtë afatit ligjor.

Shala tha se në vendimin e saj, Gjykata e Apelit e kishte theksuar që shkalla e parë duhet ta vlerësoj afatshmërinë e ngritjes së aktakuzës. Sepse unë jam thirrur se aktakuza është ngritur jashtë afatit ligjor. 

Më 15 qershor të vitit 2016,  prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani,  sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi .

Ministri Agani dhe Gani Shabani, janë akuzuar për shkak të veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par.1 dhe 2 nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur më nenin 31 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, raporton "Zeri.info".

Ndryshe në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje çështjen kundër Ferid Aganit, ish-ministrit të Shëndetësisë dhe 61 personave tjerë të cilët akuzohen nga ana e prokurorisë për vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe trajtim të pa ndërgjegjshëm mjekësor.

Kolegji profesional prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, pasi kishte shqyrtuar ankesat e palëve, kishte gjetur se aktvendimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 lidhur me nenin 245, 249 dhe 250 të Kodit të Procedurës Penale, ngase: Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk kishte respektuar dispozitat e procedurale për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, duke mbajtur seancë pa praninë e të pandehurve.

Po ashtu sipas Apelit, Gjykata Themelore nuk kishte respektuar të drejtat e parapara për mbrojtje profesionale të të pandehurve, kur ka zhvilluar seancë pa praninë e mbrojtësve të tyre, ndërsa për disa nga pa vendosur më parë për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike. /Zëri/

Image
Avokati, Nikë Shala