Gjobat e larta s’i ulën aksidentet në trafik

Kronika April 24, 2018 - 10:28
Lexoni më shumë detaje

As gjobat e larta nuk e kanë ulur numrin e aksidenteve në komunikacion, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjatë periudhës janar-mars 2018, sipas Policisë së Kosovës, në Kosovë kanë ndodhur 3410 aksidente në komunikacion, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i aksidenteve kishte arritur në 3811.

Numri i aksidenteve gjatë tre muajve të parë të këtij viti është paksa më i ulët, ndonëse gjobat janë dukshëm më të larta.

“Gjatë periudhës janar-mars 2018 numri i aksidenteve me fatalitet ishte 14, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arritur në 18”, thonë për Zërinzyrtarë për informim në Policinë e Kosovës.

Sipas Policisë, për tre muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar 85332 tiketa në komunikacion, derisa në vitin e kaluar ishin mbi 87 mijë.

MI: Kemi marrë masa për uljen e aksidenteve

Emir Morina, inxhinier i Trafikut në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar për Zërin se Ministria ka ndërmarrë disa veprime për uljen e aksidenteve në komunikacion.

LEXO EDHE: Opozita, kundër platformës së Veselit

“Sa i përket Departamentit tonë, kemi marrë masa lidhur me rritjen e nivelit të sinjalizimit rrugor, ku deri më tani kemi aplikuar sinjalizimin horizontal. Në këtë vit kemi planifikuar që përveç vijave të mesit të rrugës, krahas tyre të shënohen dhe ato skajore (anësore) me qëllim rritjen sa më të madhe të sigurisë rrugore për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka thënë ai.

Një numër i madh i aksidenteve ndodhin edhe për shkak të mungesës së sinjalizimit të rrugëve e në lidhje me këtë Morina ka thënë se tanimë vetëm se kanë filluar t’i sinjalizojnë rrugët, pasi që deri më tani ka pasur mungesë të buxhetit.

“Nga ky muaj kemi nënshkruar 3 kontrata për kryerjen e punëve të sinjalizimit rrugor, ku do të vazhdohet me kryerjen e punëve dhe me plotësimin e sinjalizimit nepër rrugët që jemi përgjegjës konform kushteve të përcaktuara në kontratë”, ka përfunduar ai.

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka konfirmuar për gazetën “Zëri “se ka rënie të numrit të aksidenteve, por që sipas tij kjo nuk është e mjaftueshme.

“Rritja e gjobave ka ndikuar që të bjerë numri i aksidenteve, por kjo nuk mjafton. Ka edhe faktorë të tjerë të cilët ndikojnë që të zvogëlohet edhe më tutje numri i aksidenteve qoftë me fatalitet apo edhe me dëmtime materiale. Rritja e infrastrukturës rrugore për shkak se zakonisht ndeshjet në komunikacion me fatalitet po bëhen në rrugë nacionale, ku janë vetëm dy shirita, të ketë rigorozitet më të madh në mirëmbajtjen e automjeteve”, ka thënë Islami

Sipas tij, duhet të ketë edhe fushatë vetëdijesuese për qytetarët.

Përmes aktiviteteve përkujtohen viktimat e aksidenteve

Për shkak të numrit të lartë të aksidenteve në komunikacion qendra për zhvillim multikulturor “Impact” ka shënuar dje ditën e përkujtimit të viktimave në komunikacionin rrugor, duke realizuar performanca në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Pas përfundimit të këtyre performancave organizatori Naim Berisha ka folur në lidhje me temën e kësaj ngjarjeje.

Sipas tij, këto aktivitete për qëllim kanë pasur vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik e në veçanti për shoferët.

“Dita vendore e përkujtimit të viktimave të komunikacionit rrugor ka filluar të shënohet që nga 23 prilli i vitit 2011. Kemi vendosur ta bëjmë një ditë tonën, pra një datë vendore përpos ditës botërore për shkak të numrit të madh të aksidenteve që kemi në Kosovë e veçmas të atyre që përfundojnë me fatalitet”, ka shtuar ai.