Nisin hetimet ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Kronika April 24, 2018 - 08:09
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Të gjithë policët që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, më 26 mars 2018, në veri të Mitrovicës do t’i nënshtrohen një hetimi nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Hetimin e policëve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës e ka kërkuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq.

Duke folur për mediet lokale në veri të Mitrovicës, Radojeviq ka konfirmuar se Inspektorati Policor i Kosovës edhe zyrtarisht ka filluar hetimet për të dëshmuar përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ku është lënduar ministri Nenad Rikallo dhe disa të tjerë, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Rekomandimi për vizat pritet në qershor

“Në fund të marsit në rrugë zyrtare i kam bërë kërkesë Inspektoratit të Policisë së Kosovës që ta vlerësojë përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në këtë aksion. IPK-ja menjëherë ka filluar t’i marrë deklaratat dhe të mbledhë të dhëna, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës është e kompetente për hetime. Informacioni i fundit që kam është se sot (e hënë) do të mbahet një takim i përfaqësuesve të IPK-së me kryeprokurorin e Mitrovicës, Shyqyri Syla, i cili do t’i japë drejtimet se nga duhet të fillohet me hetimet”, ka thënë Radojeviq.

Sipas tij, në aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e Gjuriqit është lënduar ministri Nenad Rikallo, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, gazetarë dhe qytetarë tjerë pjesëmarrës në tubim.

Radojeviq ka folur edhe për fillimin e riregjistrimit të veturave me tabela serbe të qyteteve të Kosovës me shenja KM, PR, GL, UR, DJ, PE, e të ngjashme në tabela kosovare KS dhe RKS.

“Një nga kushtet është që automjeti të jetë i regjistruar deri më 14 shtator 2016, që është data e arritjes së Marrëveshjes në Bruksel lidhur me Lëvizjen e Lirë. Kushti tjetër është që drejtuesit e automjeteve të kenë dokumente kosovare, që ta kryejnë shikimin teknik të automjetit. Automjetet që janë regjistruar pas datës 14 shtator 2016 nuk mund të riregjistrohen. Ato automjete nuk i nënshtrohen procesit të riregjistrimit, por në Bruksel gjatë vazhdimit të bisedimeve do të diskutohet edhe për to.

Radojeviq qan hallin se riregjistrimi i automjeteve është më i lirë në Serbi sesa në Kosovë. Radojeviq ka njoftuar se riregjistrimi i automjeteve të serbëve dhe kthimi në tabela KS dhe RKS është duke u bërë në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ndërsa shtoi se edhe në qendrat tjera në veri të vendit janë hapur zyrat e regjistrimit të automjeteve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës në dorëheqje, Millan Radojeviq, ka përkujtuar se me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011 është parashikuar që pronarët e automjeteve me qëndrim në Kosovë duhet patjetër t’i shfrytëzojnë tabelat e regjistrimit KS (Kosova) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe në atë mënyrë t’i lënë jashtë përdorimit tabelat serbe të regjistrimit, të cilat Prishtina i konsideron ilegale.

Marrëveshja e Brukselit për Regjistrimin e Automjeteve me Tabela KS është zbatuar vetëm në komunat me popullatë serbe në jug të Ibrit, por jo edhe në veri të Kosovës, ku qytetarët kanë refuzuar regjistrimin e veturave të tyre me ato tabela, ose kanë refuzuar fare që t’i regjistrojnë dhe në këtë mënyrë kanë lëvizur pa tabela të regjistrimit.

Serbët kanë lëvizur pa tabela të regjistrimit të automjeteve në sy edhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, e cila ka qenë e pafuqishme që të intervenojë. Marrëveshja e re për Tabelat e Regjistrimit e vitit 2016, përveç heqjes së tabelave parasheh edhe largimin e të ashtuquajturave tabelave “Proba”, të cilat Serbia i lëshon për vetura me tabela të regjistrimit RKS.

Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për zbatimin e një modeli që kanë Maqedonia dhe Greqia, që mbi tabelat e regjistrimit ta vendosin një shirit të bardhë, në pjesën ku ndodhen simbolet shtetërore.

Edhe kjo marrëveshje nuk është duke u zbatuar, ndërsa gjatë bisedimeve në vitin 2016 dhe marrëveshjeve të reja Prishtina ka pranuar që afati i përdorimit të tabelave KS, të cilat janë më të pranueshme për serbët sesa ato RKS, të zgjatet në 5 vjet.