Fundjavë me bomba në veri të Mitrovicës

Kronika April 23, 2018 - 10:58
Lexoni më shumë detaje

Vetëm një ditë pasi që drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, qëndroi në veri të Mitrovicës, një bombë është hedhur në restorantin "Simonida" në afërsi të Bansjkës së Zveçanit, ndërkaq dy policë serbë janë rrahur mes vete. Incidente ka pasur edhe pas konferencës së Marko Gjuriqit në "Lagjen e Boshnjakëve" në veri, shkruan "Zëri"

Fundjava në veri të Mitrovicës nuk ka kaluar qetë. Qytetarët e pjesës veriore, posaçërisht ata shqiptarë janë ndjerë të shqetësuar pas një varg incidentesh që kanë ndodhur në fundjavë.

Shqiptarët që jetojnë në veri të vendit janë shpesh të frikësuar nga sulmet e tilla, pasi ato shpesh kryhen në afërsi të shtëpive të tyre.

Të shtunën rreth orës 21:00 një bombë është hedhur në restorantin "Simonida" që ndodhet në afërsi të Banjskës së Zveçanit, aty ku të premten qëndori Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën.

Bomba është hedhur në kuzhinën e restorantit dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Policia në veri ka thënë se nuk ka pasur të lënduar, ndërsa ende nuk ka të dyshuar për këtë rast, shkruan më tutje "Zëri".

"Nuk ka të lënduar, dëmet janë bërë në kuzhinën e restorantit. Aktualisht janë duke u zhvilluar hetimet për këtë rast", ka thënë kapiten Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri.

Mediet kanë mësuar se në afërsi të restorantit "Simonida" zhvillohen dy biznese me veprimtari të ndryshme, njëri që drejtohet nga një serb dhe tjetri që drejtohet nga një shqiptar dhe se qëllimi ka qenë të dëmtohen këto dy biznese.

Sipas medieve (Metro) Zhivota Miladonoviq është pronar i një këtij biznesi me veprimtari të ndryshme, dhe i cili ka kontratë me shtetin kosovar për t'i furnizuar veturat e Policisë me karburante.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës nuk figuron i regjistruar biznesi me këtë emër, ani pse ky i fundit ka lidhur kontratë më shtetin.

Sidoqoftë, nuk konfirmohet nëse sulmi që cak kishte këtë biznes të jetë i lidhur me veprimtarinë e tij, mirëpo besohet se sulmi me bomba  në drejtim të këtyre dy bizneseve është bërë me qellim për t'i shantazhuar personat që drejtojnë bizneset, transmeton "Zeri.info".

Sipas "Metro", restaurantin e mbante në punë një shqiptar me emrin Besim Hyseni, i cili njihet me nofkën 'Kaça', dhe është në kërkim të Policisë.

"Kaça' që kërkohet nga Policia për kontrabandë nga Serbia dhe po fshihet në veri të Mitrovicës, lokalin e mbante me muzikë live dhe valltare serbe. Arrestimi i këtij njeriu, është bërë i pamundur për shkak të lidhjeve që ka me Policinë në veri", thuhet në raportin e gazetës "Metro", bazuar në burimet e veta nga veriu.

Të shtunën në orët e hershme të mëngjesin, dy policë serbë të Policisë së Kosovës janë rrahur mes vete në një kafene në veri të Mitrovicës.

Njëri prej policëve ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa polici tjetër është duke u mbajtur në Polici dhe atij i është caktuar masa e suspendimit prej 48 orësh.

Ngjarja ka ndodhur në kafenenë "Djura Jakshiq" në veri, shkruan "Zëri".

Një incident tjetër ka ndodhur pas përfundimit të konferencës me gazetarë që ka mbajtur Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në "Lagjen e Boshnjakëve", pasi që Gjuriq kishte përuruar objektin banesor të ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Serbisë, e ku do të strehohen 20 familje serbe, 12 çifte të kurorëzuara për më shumë se 10 vjet, si dhe 8 familje serbe që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

Tre persona kanë sharë dhe fyer drejtorin e Zyrës për Kosovën, si dhe gjithashtu kanë kërcënuar një gazetar serb të Radio Beogradit dhe një tjetër gazetar të portalit "Kossev".

Këta të fundit kanë thënë se njëri prej personave fliste shqip, derisa po kërcënonte gazetarët e mbledhur serbë në konferencën e Gjuriqit.

Sipas tyre, ata janë përpjekur që t'i afrohen kolonës në të cilën ndodhej Gjuriq. /ZËRI/