Një muaj paraburgim për vrasjen e nipit

Kronika April 17, 2018 - 09:35
Flet për ''Zërin'' babai i viktimës

Gjykata Themelore në Suharekë ia ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaj Naim Sopajt nga fshati Mushtisht, i komunës së Suharekës, i cili para disa ditësh në një aheng familjar aksidentalisht plagosi veten dhe më pas vrau në mënyrë aksidentale nipin e tij 14-vjeçar E. Sopaj. 

Gjyqtari i rastit, Robert Tomaj, për gazetën Zërika treguar se për të dyshuarin është caktuar masa e paraburgimit.

“Deri më 14 maj i dyshuari është në paraburgim”, ka thënë Tomaj.

I penduar për përdorimin e armëve shprehet babai i viktimës Latif Sopaj, i cili për Zërin ka rrëfyer sesi ka ndodhur ngjarja.

LEXO EDHE: Për tre muaj shtohen 2515 veteranë

“Aksidentalisht është gjuajtur arma ku e ka plagosur veten,si dhe djalin e ka qëlluar me armë. Vëllai është në spital me shëndet është mirë, por emocionalisht e ka përjetuar shumë rëndë. Ai e ka dashur shumë djalin, fati nuk deshi e mori”, tregon me lot në sy babai i të ndjerit 14-vjeçar. 

Ai po ashtu ka një porosi për të gjithë që të mos përdorin armë gjatë ahengjeve.

“Mos i përdori kurrë armët, ato janë për luftë, armët nuk janë për ahengje, në këtë mënyrë po humbin jetën shumë njerëz. Për këtë apeloj te të gjithë njerëzit që armët të mos i përdorin”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës: Mos festoni me armë!

Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë Milazim Lumi për gazetën “Zëri” ka folur për tragjedinë e cila ka ndodhur në ahengun e familjes Sopaj, nga Mushtishti i Suharekës.

“Kjo vepër është cilësuar si ‘Vrasje’, forma është aksidentale ka ndodhur më 14 prill rreth orës 11:00 gjatë një ahengu familjar pastaj i dyshuari i afërm i viktimës ka shtënë në ajër, por gjatë manovrimit me armë aksidentalisht e ka plagosur veten në dorën e majtë dhe plumbi e ka goditur edhe fëmijën e vëllait”, ka thënë Lumi.

Sipas tij, revolja me të cilën ka ndodhur aksidenti është me leje dhe është konfiskuar.

“I ndjeri ka qenë i ri i moshës 14-vjeçare, i dyshuari ka qenë në ndalim policor nën përkujdesje të mjekut. Janë vendimet gjyqësore të cilat vendosin e vazhdohet paraburgimi. Me urdhër të prokurorit është bërë ndalimi policor, ka bastisur dy shtëpitë, atë ku ka ndodhur ngjarja dhe shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur edhe një karikator. Revolja me të cilën ka ndodhur aksidenti ka qenë me leje zyrtare për posedim dhe është konfiskuar, si provë është edhe leja e armës”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, me qëllim të vetëdijesimit Policia e Kosovës bën vazhdimit fushata sensibilizuese.

“Në vazhdimit bëjmë fushata vetëdijesuese dhe qëllimi ynë është që njerëzit t’i bindim të festojnë me zemër e jo me armë. Policia reagon kur rastet paraqiten për shkrepje në ajër. Nga kjo tragjedi duhet të fokusohemi të mos i përdorim armët”, përfundoi Lumi.  

Prokuroria, me shumë lëndë të pazgjidhura të vrasjeve

Shumë raste të vrasjeve ende kanë mbetur si lëndë të pazgjidhura në Prokurorinë e Shtetit. Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë për “Zërin” se vetëm në vitin e kaluar 65 raste të vrasjeve kanë qenë të pazgjidhura.

“Këtë vit janë zgjidhur 36 raste të vrasjeve. Ndërsa 31 persona janë shpallur fajtorë me vendim të gjykatës, për dy persona është refuzuar aktakuza dhe një person është liruar nga akuza me vendim të gjykatës”, ka thënë ai.

Nën anën tjetër zyrtari për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës/MD, Jeton Kabashi, ka deklaruar për “Zërin” se në institucionet e SHKK-së gjenden gjithsej 405 persona të dënuar për veprën penale “Vrasje”.

“Nga 405 të dënuar për veprën penale të ‘Vrasjes’ 89 janë të paraburgosur dhe 316 të dënuar. Ndërsa mosha e personave që kanë kryer këtë vepër është ndërmjet 20 e deri mbi 60 vjet”, ka thënë ai.

Shala: Të bëhet operacion i Policisë së Kosovës

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Zëri” ka thënë që zgjidhja më e mirë për këtë rast është krijimi i një plani operativ.

“Brenda muajit kemi tri vrasje në komunën e Therandës. Prandaj Njësia e Policisë në bashkësi me Stacionin e PK-së në Therandë së bashku edhe me njësitë tjera të nivelit lokal dhe atij qendror duhet të kenë një operacion të veçantë në këtë komunë, pse jo edhe në tërë Kosovën për gjatë muajve maj-shtator”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet që edhe Prokuroria, edhe Gjykatat t’i trajtojnë me seriozitet këto raste.

“Prokuroria dhe Gjykata duhet të merren më seriozisht me shqiptimin e masave ndëshkuese dhe të mos i lënë lëndët në sirtarë për t’i vjetërsuar dhe kështu t’u krijohet përshtypja e atyre që sistemi nuk mund të na prekë”, ka thënë Shala.