Deklarohen të pafajshëm dhjetë të akuzuarit e ''Syrit të Popullit''

Kronika April 12, 2018 - 08:51
Zëri ju sjell në detaje çfarë ndodhi në seancën e djeshme

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj dhjetë të akuzuarve për “Përgatitje të veprave terroriste”, të cilët akuzohen se janë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”, të mërkurën u mbajt e mbyllur për publikun. Ky vendim i Gjykatës nuk u pëlqeu aspak të akuzuarve dhe familjarëve të tyre. Arsyeja e mbylljes së seancës për publikun ishte vepra “Dhunim” për të cilën akuzohej njëri nga dhjetë të akuzuarit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Akuza për “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së për të cilën akuzohet Avni Llumnica, njëri nga dhjetë të akuzuarit e rastit të njohur si “Syri i Popullit”, ishte arsyeja që kryetarja e trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë Naime Krasniqi-Jashanica të mërkurën vendosi që seanca e shqyrtimit fillestar në këtë rast të jetë e mbyllur për publikun.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) Avni Llumnica sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, më 16 maj 2017, duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z , duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar atë që t’i bëjë seks oral, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas kësaj pike të akuzës, Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

LEXO EDHE: Sejdiu: Kosova, ''e zaptuar'' nga personat e korruptuar

Por kjo pikë e akuzës nuk i pengoi aspak të akuzuarit Avni Llumnica që seanca të jetë e hapur për publikun. Ishte prokurori special Sylë Hoxha ai i cili kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues që seanca të jetë e mbyllur për publikun për shkak të akuzës së “Dhunimit”, për të cilën akuzohet Llumnica.

 “Propozoj që seanca të mbahet e mbyllur për publikun, pasi njëra vepër penale që Avni Llumnica akuzohet kërkohet që të përjashtohet publiku, për shkak se kjo vepër ka të bëjë me dhunim”, tha prokurori Hoxha.

Mirëpo kjo kërkesë e prokurorit nuk u pëlqeu aspak të akuzuarve, të cilët përmes mbrojtësve të tyre kërkuan që seanca të mos mbyllet për publikun.

Ishte mbrojtësi i Avni Llumnicës, avokati Naim Rudari, i cili tha se klienti i tij ndihet i pafajshëm dhe se nuk ka nevojë të përjashtohet publiku nga seanca.

Edhe mbrojtësit e nëntë të akuzuarve të tjerë të organizatës “Syri i Popullit, Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana, kërkuan që seanca të jetë e hapur për publikun.

Mirëpo, pavarësisht kësaj kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica mori vendim që publiku dhe mediet të përjashtohen nga salla.

Gjyqtarja lejoi vetëm familjarët e afërt të të akuzuarve që të jenë pjesë e kësaj seanca.  Ajo madje njoftoi mediet që këtë vendim mund ta marrin edhe me shkrim.

Ky vendim nuk u prit aspak mirë nga publiku, të cilët reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Njëri nga ta ishte edhe Sherif Konjufca, babai i deputetit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca.

Por pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hoxha dhjetë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat të cilët rëndojnë mbi ta.

Mbrojtësi i Sabit Berishës, avokati Nikë Shala, i ka thënë gazetës “Zëri” se gjatë deklarimit të tyre para gjykatës të gjithë të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Avokati Shala tregoi se mbrojtja e të akuzuarve ka afat ligjor prej 30 ditësh që t’i paraqesë kundërshtimet e veta në gjykatë kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Ndërsa sipas tij, pasi gjykata të vendosë rreth kundërshtimeve të mbrojtësve do të caktohet seancë e radhës në këtë proces gjyqësor.

Ndryshe, në këtë rast akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Më 27 shkurt 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnicës, Ragip Sallovës, Sadri Ramabajës, Sabit Berishës, Behxhet Luzhës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Lirije Luzhës dhe Rexhep Topllanës për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017 e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motelin “Fontana”, në “Veternik”, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12:00 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “Hakmarrje në ndihmë”, nga Neni 396 i KPRK-së. Llumnica sipas kësaj aktakuze, sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z., duke e futur në banjë të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar atë që t’i bëjë seks oral.

Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Llumnica akuzohet për veprën penale “Dhunim” nga Neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose të shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ata thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetërorë të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, ish-kryeministrit Isa Mustafës, ish-ministrit Hajredin Kuçit, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, pastaj ndaj drejtorit të ATK-së e klerikëve fetarë.