Prokuroria nis hetimet për mishin e prishur në Ferizaj

Kronika April 04, 2018 - 12:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari, ka konfirmuar se ka urdhëruar mbledhjen e informatave në lidhje me mishin e konfiskuar nga inspektorët e Komunës së Ferizajt.

“Prokuroria në Ferizaj ka urdhëruar Departamentin për Krime Ekonomike të Policisë në Ferizaj për të mbledhur informacione në lidhje me 1 ton mish të konfiskuar në Ferizaj”, tha Jashari për KALLXO.com.

Kryeprokurori Jashari tha se informacioni po mblidhet në lidhje me dyshimin për vepër penale “Prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, ndaj dy supermarketeve në Ferizaj.

“Po mblidhen informacione në lidhje me  dyshimin për veprën penale të vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, për sasinë prej 800kg të mishit në dy pika të një marketi dhe për sasinë prej 200kg në një pikë të një marketi tjetër në Ferizaj”, tha Jashari.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Koordinatorin e Inspektorëve në Komunën e Ferizajt, Ridvan Berisha i cili ka konfirmuar se Departamenti i Krimeve Ekonomike ka kërkuar informacion në lidhje me mishin e konfiskuar pak javë më herët.

“Krimet Ekonomike kanë kërkuar informacion në lidhje me sasinë e mishit të konfiskuar në Ferizaj, dhe ne jemi duke përgaditur përgjigjen në këtë kërkesë”, tha Berisha për KALLXO.com.

Por Berisha nuk ka dashur t’i bëjë publike emrat e kompanive në të cilat është konfiskuar mishi i prishur.

Berisha gjithashtu konfirmoj për KALLXO.com se Inspektorati i Komunës së Ferizajt e ka përcjellë lëndën e konfiskimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për kundërvajtje, pasiqë sipas tyre “nuk kanë vërejtur elemente të veprës penale”.