Kërcënohet avokati i gylenistëve të dëbuar nga Kosova

Kronika April 03, 2018 - 23:49
Lexo detajet

Avokati i shtetasve turq, të arrestuar në Kosovë ditë më parë, për t'u dëbuar më pas në Turqi - ku ata akuzohen për gjoja terrorizëm, si pjesëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit - është kërcënuar sot me jetë.

Avokati, Syla kërcënimin e ka bërë të ditur përmes rrjetit social "Facebook", ku ka treguar edhe mesazhin kërcënues të marrë po në këtë rrjet social, transmeton "Zëri.info". 
 
"Vetëm një gjë do të ta them: Ke kujdes për veten dhe rrethin tënd, sepse je avokat i organizatës terroriste. Askush s'mund të të mbrojë, as njohuritë juridike", thuhet në mesazhin kërcënues për avokatin e gylenistëve.
 
Postimi i plotë i Sylës:

Kërcënimi i parë:

Theksoj se jam shum pasiv në rrjete sociale dhe nuk pëlqej të promovoj veten time, për shkak se cilësoj se prototipet ( njerëzit “shembull”) e mangëta prodhojnë popullatë të mangët.

Prototipe këto të cilët nuk shpenzojnë kapitalin e tyre kohor në dispozicion për të plotësuar ato mangësi që i posedojnë si rezultat i fatit të jetës së tyre, por duke u mjaftuar me një nivel i cili arrin shkallën e “vetëkënaqjes” promovojnë vetën e tyre së bashku me të gjitha ato mangëesi që posedojnë, dhe atë në emër të vlerave dhe virtyteve.

Për fat të keq, prototipe të tilla veç janë shembull në shoqerinë tonë, dhe për këtë s’mund të bëj gjë, por, të paktën shpresoj që do të mund të kursej veten time nga të shkaktuarit e një dëmi të tillë rinisë së shtetit tim duke e promovuar një të ri si unë, me kaq shumë mangësi e shumëçka për të mësuar.

Sidoqofte, më lejoni që të spjegohem për një aktivizim të tillë tani.

"… kur prezumohet fajësia..." 
… kur vullneti paralizohet … 
… kur terri mbulon natën…
…Mos qaj!
Ndiz një qiri…"

Që nga dita kur vendosa të studioj drejtësinë e deri më sot e kam pritur të vijë kjo ditë. 
Arsyeja pse vendosa të ushtroj këtë detyrë fisnike ishte padrejtësia e të padrejtëve që shihja rreth e rrotull dhe të shtypurit nga këto padrejtësi, ku ndër të shtypurit, shpeshherë isha edhe unë. Kjo sepse në të shumtën e rasteve kundërshtoja padrejtësinë e të fortëve. Nuk e shoh si vlerë timen, por si virtyt të familjes.

Sidoqoftë, detyra që zgjodha ishte e atillë që të pranoja se do të vi një ditë kur vepra ime do ta pengonte dikë. Dhe atë, jo për shkak se ajo është e kundërligjshme. E kundërta, ajo është madje edhe kategori kushtetuese, por që kuptova se lakuriqëve të natës nuk u pëlqeka drita, dhe shtypësve nuk u pëlqeka e drejta.

Por që fati e do të kemi ditën dhe natën dhe neve na duhet të ndriqojmë tokën që toka të fitojë kuptimin e një vendi jetese për qeniet njerëzore, madje edhe natën. Sikur lakuriqët e natës të kishin fuqinë do të na e bënin terr e zi jetën tonë, do të na i fiknin zjarret, flakadanët, e madje edhe çdo fije shkrepëse, vetëm që errësira e tyre të mos cënohej, dhe atë jo vetëm gjatë natës, por edhe ditën. Gëzohem që u mësova se drita e agimit të së nesërmes fillon të dalë vetëm pasi që terri i natës të ketë arritur kulmin e tij andaj edhe ndez një qiri për vete dhe të tjerët përreth dhe pres të dal agimi, duke shpresuar që dikur do të mund të ndez ndonjë flakadan për ata që duan të afrohen. Disa lakuriqë që nuk ngopen me pak, ngordhin duke mos u tërhequr në skutat e tyre para se agimi të dalë, kurse ata të “mençurit” cilët “ja dinë hallin vetës” tërhiqen në errësirë dhe vazhdojnë sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. Por kjo zgjat vetëm deri në natën e së nesërmes…

"...Lakuriqët kanë filluar të dalin…
...nuk e dijmë se sa do të zgjasë kjo natë... 
...vetëm se me qirinjë në dorë nuk mundet ky terr... 
...të synojmë flakadanët deri në agim, sepse pas tij dielli mjafton për të gjithë..."Image