Kërcënohet asamblisti Malsor Bejta

Kronika April 03, 2018 - 08:45
Komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, toger Basri Durmishi, i ka thënë ''Zërit'', të hënën, se nuk është i njoftuar nëse asamblisti Malsor Bejta ka paraqitur rastin e kanosjes apo të kërcënimit nga drejtori i Kulturës në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala e i cili është i angazhuar edhe për punën e zëdhënësit të Komunës, ka kërcënuar asamblistin e IQ “41000”, Malsor Bejta.

Ky i fundit ka publikuar edhe bisedat në të cilat shihet se janë përdorur fjalë ofenduese e kërcënuese, që kanë bërë që ky i fundit ta raportojë rastin në Polici.

Bejta ka thënë se ky rast i kërcënimit nuk është i pari, pasi që Shala edhe më përpara ka kërcënuar atë dhe asamblistët e opozitës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Ky është drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, njëkohësisht zëdhënës i Komunës së Skenderajt, i cili m’u drejtua para pak orësh me ofendime e kërcënime. Nuk është hera e parë që njerëzit e afërt të kryetarit të Komunës më kërcënojnë…Rasti është i raportuar në Policinë e Kosovës”, ka thënë Bejta, i cili ka treguar, siç thotë ai, “disa perla nga ideologu i çështjes”.    

Për kërcënimin që ia ka bërë drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Skenderajt Ramiz Shala asamblistit Malsor Bejta ka reaguar edhe asamblisti nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Hysni Mehani.

LEXO EDHE: Alarmi i FMN-së për shpenzimin e rezervave buxhetore

“Frikën për të dalë në qytet nuk e kemi që nga viti 1999, merita kryesore për këtë i takon familjes Jashari me në krye komandantin legjendar Adem Jashari. Është e papranueshme që nën udhëheqjen e një djali të kësaj familjeje të kthehet kjo frikë. Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Ramiz Shala, ka kërcënuar asamblistin e IQ “41000”, Malsor Bejta. I njëjti drejtor më ka provokuar edhe mua për të nxitur konflikt në mënyrë të vazhdueshme në seancën e fundit të mbajtur më 30.03.2018, për çka brenda seancës i kam kërkuar kryetarit Bekim Jashari që të menaxhojë me vartësit e tij”, ka thënë ai.

Sipas tij, siç duket deri më tash kryetari nuk paska ndërmarrë asgjë, teksa i njëjti drejtor vazhdon të kërcënojë tash asamblistin Malsor Bejta. “Përgjegjësi për këto kërcënime kanë të parët e Komunës, sidomos kur ata janë në dijeni për sjelljet e këtij drejtori të Kulturës, i cili veç drejtor i Kulturës s'mund të jetë. Tendenca që mospajtimet që i kemi për mënyrën sesi qeveriset publikja të kthehen në konflikte private dhe kërcënime të llojit: “a s'do të jetosh në Skenderaj?” nuk na frikësojnë sa na bëjnë të ndihemi keq për mendësinë qeverisëse që po instalohet, krejt kjo kur kemi parasysh se kush është në majë të hierarkisë. Logjika e muskujve është shndërruar në dukuri të përditshme në qeverisjen aktuale në komunën tonë. Kjo logjikë vërehet edhe tek nënkryetari Nuredin Lushtaku, i cili ka lidhje familjare me drejtorin që po kërcënon. Heshtja përballë kësaj mendësie do të thotë se ata po e legjitimojnë”, ka thënë Mehani.

Në anën tjetër, i kontaktuar me telefon, të hënën, komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderajt, toger Basri Durmishi, i tha “Zërit” se nuk është i njoftuar nëse Bejta ka hapur rast ose që e ka paraqitur në Policinë e Skenderajt Ramiz Shalën për kërcënim.

“Unë që të dy i njoh ata, edhe Malsorin edhe Ramizin, por nuk e di që Malsori ka paraqitur rastin në Polici. Ndoshta edhe e ka bërë, por unë nuk e di, sot është ditë pushimi, nuk jemi në punë, andaj nuk mund të them asgjë”, i ka thënë “Zërit” komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, toger Basri Durmishi.

Ndërkaq drejtori i Kulturës në Komunën e Skenderajt Ramiz Shala, i kontaktuar me telefon, i ka thënë “Zërit” se nuk e ka kërcënuar askënd dhe se e gjitha është shpifje e Bejtës, që ka për qëllim bërje marketing politik për vete.

“Nuk e kam kërcënuar askënd, as Malsorin. Unë prej të premtes kam qenë në Brezovicë, por i kam parë disa provokime që m’i ka bërë Malsori në rrjetet sociale dhe unë jam përgjigjur në ato provokime të tij. I kam kërkuar që të takohemi dhe të më shpjegojë se për ç’arsye po e lakon emrin tim, kur unë më të nuk kam asnjë punë dhe asnjë çështje. Ai më ka thënë se nuk takohet me mua kurrë e unë e kam pyetur: “Pse a nuk do të jetosh në Skenderaj? Kaq ka qenë biseda me të. Unë nuk besoj që ka paraqitur rast në Polici, se nuk ka pasur për çka, nuk e kam kërcënuar hiç. Nuk më kanë thirrur në Polici, prandaj nuk ka as rast të hapur. Po përsëris, e gjitha është tendencë e Malsor Bejtës për t’i bërë vetes marketing politik”, ka thënë Shala.