Nesër fjala përfundimtare në gjykimin e Shefqet Krasniqit

Kronika March 19, 2018 - 13:47

Më shumë se një vit nga koha kur është ngritur aktakuza dhe rreth 3 muaj pasi ishte paraqitur për herë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjykimit të ish imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi po i shihet fundi.

Seanca e nesërme do të shënojë përballjen e fundit të ish-imamit me drejtësinë për t’i lënë vend pastaj shpalljes së verdiktit nga trupi gjykues.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar caktuar 20 marsin si datën kur do të thuhet fjala përfundimtare nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, mbrojtja e Shefqet Krasniqit por edhe nga vetë ai në seancën e fundit të mbajtur më datë 13 mars të këtij viti.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar dy dëshmitarë, janë konsideruar si të lexuara deklaratat e dy dëshmitareve tjera ndërsa ndër të tjera janë administruar si prova edhe tri përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe dy ligjërata të Krasniqit.

Sipas aktakuzës Shefqet Krasniqi akuzohet për tri vepra penale.

Në aktakuzë pretendohet  se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57 euro.

Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi që është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit./kallxo.com