Gjykatësi me 1400 lëndë të ngarkuara

Kronika March 19, 2018 - 12:09

Divizioni fiskal, i cili vepron në kuadër të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë vit ka pranuar në punë 530 lëndë të reja, ndërsa momentalisht në punë i ka 1401 lëndë.

Ky divizion, i cili merret vetëm me paditë e parashtruara kundër Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganës së Kosovës, tashmë gati një vit funksionon me vetëm një gjykatës.

Rreth 30 lëndë, është mesatarja që zgjidhen për një muaj, kurse numri i lëndëve të zgjidhura brenda një viti me vetëm një gjykatës, është afërsisht rreth 360 lëndë.

Vitin e kaluar në këtë divizion vepronin gjykatësit Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha, por pasi që gjykatësi Bardiqi kishte udhëtuar në një trajnim që zgjat një vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ky divizion po menaxhohet vetëm nga gjykatësi Berisha.

Berisha në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka treguar se numri i madh i lëndëve po shkakton problem në zgjidhjen e tyre.

Gjykatësi Berisha tha se numri i lëndëve që përfundohen brenda muajit është 30 deri 35 lëndë, ndërsa sipas tij, vështirësitë në zgjidhjen e tyre janë të shprehura nga vëllimi i numrit të madh të lëndëve dhe kërkesave të vazhdueshme të palëve për tu trajtuar sa më parë kërkesat respektivisht, paditë e tyre.

Kurse, lidhur me mbarëvajtjen dhe ecurinë e zgjidhjes së rasteve në këtë divizion, pakënaqësitë e tyre i shprehin edhe palët, të cilat përballen me vonesa të shumta kur është fjala për të marrë një vendim gjyqësor.

Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, avokati Kushtrim Bytyqi, përfaqësues i shumë kompanive, palë paditëse në këtë divizion, ka thënë se periudha minimale që ata si palë duhet të presim për caktimin e seancës për shqyrtimin e padisë për konflikt administrativ në këtë divizion është dy vjet.

“Deri tani që po ju përgjigjem, unë nuk kam marr asnjë ftesë për ndonjë seancë lidhur me shqyrtimin e padive të dorëzuara gjatë viteve 2016 dhe 2017. Mund të them se periudha pak më e shkurtër e pritjes (ndoshta 1.5 vite) për caktimin e seancave ka qenë në kohën kur kanë qenë aktiv dy gjyqtarët e këtij departamenti. Ndërsa, tani kur është aktiv vetëm njëri nga ta, është kjo gjendje siç ju tregova”, ka thënë Bytyqi.

Ai ndër tjera  ka shtuar se pritja e gjatë, po i dekurajon në masë të madhe shumë nga palët që të nisin këto procedura.

Sipas tij lëndët me të cilat merret ky divizion e ku e paditur është Dogana e Kosovës, është me rëndësi të zgjidhen më shpejtë, pasi që shumica e kompanive në emër të së cilave ai inicion padi, kanë raste të njëjta në vazhdim, kështu që sipas tij, e paditura vazhdon me praktikën e njëjtë deri sa të ketë zgjidhje  nga gjykata.

“Unë kam disa raste në këtë departament e që janë në këtë procedurë për herë të dytë. Për faktin se siç theksova edhe më sipër gjykata i ka kthyer çështjet në rishqyrtim dhe rivendosje në organin administrativ, e ky organ ka vendosur njëjtë sikur herën e parë, pra ka refuzuar lëndët e palëve. Pastaj jemi obliguar që të bëjmë padi për konflikt administrativ për herën e dytë dhe lëndët tashmë gjenden në pritje të ftesës për seanca”, ka shtuar Bytyqi.

Zëdhënësja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se duke u bazuar në numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura, ky divizion ka nevojë për gjykatës shtesë.

Kurse, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se kjo çështje do të rregullohet pasi që të përfundojë konkursi që ky këshill ka hapur më 19 janar të këtij viti.

Sipas këtij këshilli, me këtë konkurs pritet të pranohen në punë 37 gjykatës në Gjykatat Themelore, ku shtatë prej tyre do të jenë nga komuniteti jo shumicë.

“Pas përfundimit të procesit të emërimit të pozitave për Gjykatat Themelore, sigurisht që Gjykata Themelore në Prishtinë ka me qenë përfituese e numrit më të madh të këtyre pozitave dhe se kjo çështje do të rregullohet”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Aktualisht, Departamenti Administrativ ka vetëm katër gjykatës të cilët merren me rastet e tjera që nuk hyjnë nën domenin e divizionit fiskal.

Këtë vit edhe udhëheqësja e këtij departamenti, gjykatësja Delushe Halimi, ka kaluar në Gjykatën e Apelit, duke bërë kështu që ky departament të funksionojë me vetëm pesë gjykatës, përfshirë divizionin fiskal.