Masakroi shokun me çekiç

Kronika March 18, 2018 - 12:02
zbulohet mesazhi që nxiti krimin horror

Detaje të tjera dalin në dritë nga krimi makabër në Fier, ku shtetasi Albert Zekaj vrau dhe copëtoi trupin e shokut të ngushtë, Kreshnik Beqirajt, me të cilin jetonte që prej disa vitesh.

Burime pranë grupit hetimor thonë se sherri fillimisht ka nisur për qiranë e banesës. Albert Zekaj ishte i papunë dhe ai mbahej me të hollat e viktimës, i cili paguante edhe qiranë e banesës ku jetonin, shkruan “Panorama”.

Zekaj dhe Beqiraj ishin njohur në një burg të Zvicrës. Pas sherrit për qiranë e shtëpisë, Albert Zekaj e qëlloi viktimën në kokë me çekiç, duke e lënë të vdekur. Sipas dëshmisë së Zekajt para hetuesve, ai ka mbajtur trupin të fshehur në shtëpi.

Sipas hetimeve, në telefonin e viktimës ka pasur shumë thirrje telefonike dhe teksa ka fshirë numrat, Zekaj ka kontrolluar edhe SMS-të e Beqirajt. Ai ka gjetur një SMS të dërguar nga Beqiraj drejt një numri tjetër, ku ai i thoshte se nëse Zekaj nuk do të largohej nga banesa deri më datë 30 qershor 2017, atëherë do të njoftonte Policinë. Kjo e ka acaruar më shumë autorin e krimit, i cili më pas ka vendosur të hakmerret edhe me kufomën, duke e copëtuar atë dhe hedhur në fshatin Daullas.

Më pas, sipas dëshmisë së Zekajt, ai ka shitur telefonin e viktimës në treg të zi. Zekaj ka treguar para hetuesve se Beqiraj e përfliste te të afërmit dhe kishte krijuar bindjen se po shfrytëzohej nga ai duke përfituar. Ai jetonte për më shumë se dy vjet në një shtëpi me viktimën dhe nuk kishte siguruar një punë që i jepte të ardhura. Shpenzimet më së shumti hiqeshin nga viktima. Para hetuesve Zekaj ka shfaqur pendesë, por nga natyra e krimit, pozitat e tij nuk mund të lehtësohen.

Kreshnik Beqiraj u zhduk në mbrëmjen e 22 qershorit 2017, për të mos u kthyer më kurrë. Edhe pse familja denoncoi në atë kohë humbjen e djalit të tyre, fakti që ai kishte mbyllur licencën e biznesit të tij disa javë më parë, i ka bërë efektivët të mendojnë se mund ë jetë shpërngulur nga qyteti. Por daja dhe vëllai i Kreshnikut do të ishin ata që do të detyronin Policinë të riniste hetimet për gjetjen e Kreshnikut.

Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Fierit mundi të vërtetojë se Kreshnik Beqiraj ishte vrarë nga shoku i tij i ngushtë. Pas arrestimit, Albert Zekaj ka pranuar krimin dhe ka çuar hetuesit drejt vendit ku kishte fshehur kufomën. Krimi tronditi mbarë opinionin publik në Shqipëri, ndërkohë që familjarët e viktimës kanë kërkuar drejtësi, ose në të kundërt do ta vendosin ata vetë.