Shpërndarja e drogave në shkolla, 76 nxënës të arrestuar

Kronika March 17, 2018 - 08:17

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se brenda periudhës njëvjeçare janë arrestuar 76 nxënës për shpërndarjen e drogave nëpër shkollat e vendit. Ekspertët e sigurisë dhe psikologët alarmojnë se rastet e tilla janë në rritje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përdorimi i substancave narkotike është një problem në rritje, me të cilin po përballet shoqëria kosovare. Më shqetësues e bën fakti se përdorues dhe shpërndarës të këtyre substancave janë të rinjtë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar 2017 - shkurt 2018 në Kosovë janë arrestuar 76 nxënës të dyshuar për shpërndarjen e drogave në shkolla, ndërsa nuk dihet saktësisht numri i përdoruesve të këtyre substancave narkotike.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë kërkuar më shumë bashkëpunim në mes shkollave dhe prindërve për arsye të krijimit të një ambienti më të sigurt, si dhe kanë pranuar që Komuna e Prishtinës është e angazhuar në eliminimin e kësaj dukurie në institucionet shkollore të saj.

Statistika alarmante

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se vetëm gjatë periudhës janar - dhjetor 2017 dhe janar - shkurt 2018 janë arrestuar 371 persona të dyshuar për shpërndarjen e drogave, në mesin e tyre 76 nxënës.

“Janë arrestuar 371 persona të dyshuar, prej tyre 76 nxënës dhe 295 të tjerë, nga 371 të arrestuarit 274 janë konsumues të drogave dhe 97 shpërndarës/shitës të tyre”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ata po ashtu kanë bërë të ditur që substanca narkotike janë gjetur edhe në objekte shkollore gjatë patrullimit të Policisë në afërsi të këtyre shkollave.

“Gjatë këtyre aktiviteteve janë iniciuar 296 raste në shkolla dhe rreth tyre.

Brenda objekteve të shkollave janë regjistruar 5 raste, në oborr të shkollave 24 raste, jashtë oborreve të shkollave 53 raste, 175 raste në perimetrin e sigurisë 350 metra, ndërsa 39 raste në kudër të planit operativ “Stop drogave në shkolla”, thuhet më tutje në përgjigjen e Policisë.

 

Komuna kërkon bashkëpunim me prindërit

Zyrtari nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Fatos Osmani, për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se Komuna është e angazhuar për eliminimin e kësaj dukurie në shkollat e kësaj komune.

“Drejtoria e Arsimit në funksion të eliminimit të një dukurie të tillë negative bashkëpunon me gjitha institucionet, organizatat e ndryshme dhe me komunitetin. Në institucionet edukativo-arsimore janë zhvilluar deri më tani shumë ligjërata nga Policia e Kosovë dhe nga organizata joqeveritare për këtë fenomen negativ”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, është i rëndësishëm bashkëpunimi i shkollave me prindërit për ta krijuar një mjedis të sigurt në shkolla.

“Shkolla organizon takime informimi dhe konsultime të rregullta me prindër në drejtim të krijimit të një mjedisi të sigurt. Këto takime trajtojnë temat që kanë të bëjnë me sigurinë e fëmijëve në shkollë, në mjedisin që e rrethon shkollën dhe në relacionin shkollë-shtëpi”, ka thënë ai.

Krasniqi: Mungon një program parandalues gjithëpërfshirës

Brikena Krasniqi - Hoti, psikologe, thotë për “Zërin” se problemi me përdorimin e substancave narkotike ka filluar si pasojë e mungesës së një programi parandalues gjithëpërfshirës nacional.

“Ajo që e rrit problemin është mungesa e një programi parandalues gjithëpërfshirës në nivel nacional, që do të fokusohet te të rinjtë që nga klasat e 6-ta në mënyrë që parandalimi të ketë efekt. Deri më tani ka pasur vetëm projekte sporadike nga OJQ të ndryshme që kanë shtjelluar këtë problem, por asnjëherë në nivel nacional”, ka thënë Krasniqi.

Ajo e sheh të domosdoshme futjen e programeve të parandalimit të drogave, si dhe parasheh që pjesë e këtyre programeve të jenë prindërit dhe mësimdhënësit, si dhe profesionistët shëndetësorë. 

“Programet e parandalimit janë të domosdoshme, ku duhet të përfshihen mësimdhënësit, prindërit, si dhe profesionistët shëndetësorë që në mënyrë të përbashkët të shtjellohen këto tema sa më shumë te familjet tona dhe t’i minimizojmë problemet që mund të dalin si pasojë e përdorimit të drogave”, ka shtuar ajo.

Islami: Duhet sensibilizim më i madh

Eksperti i sigurisë Avni Islami ka thënë se në Kosovë mungojnë institucionet që do të merreshin më seriozisht me sensibilizim e të rinjve.

“Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë është një problem i cili do zgjidhje dhe investim. Te ne është problem për shkak se mungojnë institucionet të cilat do të merreshin më tepër me sensibilizimin e opinionit të përgjithshëm”, ka thënë Islami.

Po ashtu ai si zgjidhje për këtë problem sheh ndërgjegjësimin për problemin dhe bashkëpunimin e familjes, shkollave dhe të institucioneve të tjera me të rinjtë.

“Ky problem duhet që ta ketë një ndërgjegjësim duke filluar prej familjes, pastaj shkollat, organizatat joqeveritare, por edhe institucionet e shtetit që merren me këtë problematikë”, ka shtuar ai.