Kthehen bombat në veri

Kronika March 17, 2018 - 07:47

Bomba e parë në vitin 2018 është hedhur në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës të enjten rreth orës 23:30, nga shpërthimi i së cilës janë dëmtuar xhamat e dritareve të një shtëpie serbe. Edhe dy muaj pas vrasjes së politikani serb Oliver Ivanoviq nuk ka as të arrestuar e as të dyshuar

Shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Zhelko Bojiq, është lavdëruar para pak ditëve se në vitin 2018 nuk ka ndodhur asnjë rast i hedhjes së lëndëve shpërthyese dhe djegieve të veturave në veri të Mitrovicës, duke përjashtuar vetëm rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kur pas aktit të kryer personat që kishin kryer vrasjen kishin djegur veturën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ai madje pati thënë se edhe në dy muajt e parë të vitit 2017 nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë. Por bombat në veri të Mitrovicës janë kthyer të enjten. Rreth orës 24:00, të enjten, një granatë dore ose një mjet shpërthyer i bërë me dorë është hedhur në oborrin e një shtëpie serbe në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës.

Zhelko Bojiq, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, u ka thënë medieve se rasti ka ndodhur në orën 23:25 para shtëpisë në të cilën jeton D.V., serb, kur është hedhur një mjet shpërthyes. “Me atë rast nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa në afërsi të shtëpisë janë shkaktuar dëme materiale. Ekipet e Policisë kanë dalë në terren për ta kryer ekspertizën. Pas ekspertizës është konstatuar se bëhet fjalë për një mjet shpërthyes me fuqi të madhe të detonimit, që besohet se është i punuar”, ka thënë ai, duke shtuar se prokurori i rastit ka dalë në vend dhe rastin e ka kualifikuar si vepër penale e “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”. 

Njëjtë sikurse Bojiq ka thënë edhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti. Ai ka njoftuar se nga shpërthimi janë dëmtuar dritaret edhe të një shtëpie tjetër.

“Eksplozivi është hedhur në rrugë, në një pusetë. Është dëmtuar kapaku i pusetës, ndërsa nga detonimi janë thyer xhamat e dritareve të një shtëpie në afërsi”, ka thënë kapiten Hoti.

Shpërthimi i fuqishëm në “Lagjen e Boshnjakëve”, të enjten, ka ardhur vetëm tri ditë pasi kanë filluar punimet në revitalizimin e urës së Ibrit në pjesën veriore dhe të rrugës “Mbreti Peter”, e cila do të shndërrohet në zonë të këmbësorëve.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, në prillin e vitit 2017 i kishte ndërprerë punimet në këtë zonë pikërisht për shkak të rasteve të shumta të incidenteve, duke konsideruar se incidentet kanë rrezikuar jetën e qytetarëve të veriut të Mitrovicës dhe se për të filluar me punimet në urë nuk kushte të sigurisë. Ai edhe tani vlerëson se situata pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit nuk është shumë e përshtatshme për të vazhduar me punimet, por ka kërkuar nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe nga KFOR-it që të jenë të pranishëm në numër më të madh në gjithë pjesën veriore të Mitrovicës, posaçërisht tek ura dhe në pjesën ku janë duke u kryer punimet.

Në anën tjetër,edhe dy muaj pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit vrasësit akoma janë të lirë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë rastin për shkak të ndërlikushmërisë, ndërsa ka siguruar se janë duke u bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që rasti të ndriçohet.

Shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, u ka thënë medieve në veri të Mitrovicës: “Po komunikohet aktivisht edhe me kolegët në vendet e tjera lidhur me ndriçimin e këtij rasti. Aktualisht është duke u zhvilluar faza e dytë e hetimeve, gjatë së cilës kryhet përpunimi i të dhënave të mbledhura dhe të dëshmive”.

Ndryshe, në rastin e Ivanoviqit deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar e as të dyshuar. Në fillim ishin arrestuar dy policë (serbë), të cilët ditën kur ishte vrarë Oliver Ivanoviq ndodheshin në vendin e ngjarjes. Ata akuzoheshin për “Manipulim të dëshmive materiale”, ndërsa janë liruar menjëherë pasi kanë dhënë deklaratat në Polici.

Ndërkaq, në një komunikatë të Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet me ta marrë rastin lënda i është ndarë menjëherë prokurorit të Prokurorisë Speciale, por ende nuk është analizuar.

“Hetimet në këtë lëndë në këtë fazë nuk mund të publikohen. Është në interesa të PS-së dhe të qytetarëve të Kosovës ta zgjidhin rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuror në rastin e Oliver Ivanoviqit është Reshat Millaku.