17 vjet gjyq për një falsifikues parash në Prishtinë

Kronika March 15, 2018 - 23:55

Gjykata e Prishtinës i ka dhënë epilog një rasti penal që ka ndodhur plot 17 vjet më parë.
Në këtë rast i pandehur është Istref Fazliu, i cili akuzohet për falsifikim të monedhave – marka gjermane më 2001.

Seanca fillestare, shqyrtimi gjyqësor, fjala përfundimtare dhe shpallja e aktgjykimit u bë në të njëjtën ditë.

Fillimisht, i akuzuari tha se pranon veprimet e përshkruara në aktakuzë por jo kualifikimin e veprës penale.

Paraprakisht, avokati i tij, Florent Latifaj, sqaroi se kualifikimi juridik është në tërësi në kundërshtim me dispozitivin, kjo pasi që paragrafi i nenit të veprës penale – falsifikim i parasë, e ngarkon të mbrojturin e tij me prodhim të parave të falsifikuara, raporton kallxo.com.

Avokati Latifaj tha se veprimet e të mbrojturit të tij nuk manifestohen me veprën penale të prodhimit, por atë të qarkullimit.

“Nga dispozitivi i aktakuzës kualifikimi juridik është në tërësi në kundërshtim. Në dispozitiv thuhet se i njëjti ka blerë paratë e falsifikuara, e jo prodhuar. Këtë çështje e rregullon i njëjti nen, por paragrafi tjetër”, tha Latifaj, duke i propozuar Gjykatës që paragrafin ta rikualifikojë sipas detyrës zyrtare.

Më pas, në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Javorka Perilinçeviq i propozoi Gjykatës që në bazë të deklaratës së tij për pranimin e veprimeve, të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Sa i përket kualifikimit juridik, të njëjtën ia la në dorë trupit gjykues në qoftë se e sheh të arsyeshme ta rikualifikojë.

Ndërkaq, avokati Latifaj edhe në fjalën përfundimtare insistoi që Gjykata të bëjë rikualifikimin e paragrafit ngase në përshkrim të veprimeve të të akuzuarit nuk manifestohen elementet e veprës penale të prodhimit.

Disa fjalë para trupit gjykues i tha edhe vetë i akuzuari.

Ai i kërkoi falje Gjykatës, duke shtuar se ka qenë i ri dhe është mashtruar. Madje, sipas tij, ky rast është hera e parë dhe e fundit që ka rënë ndesh me ligjin.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi i muajit shkurt 2001 e deri më 3 mars 2001, Fazliu ka vënë në qarkullim para të falsifikuara si të vërteta.

Sipas Prokurorisë këtë e ka bërë në kafenenë “Bellami” në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku në fillim të muajit shkurt 2001, së bashku me të pandehurin Gazmend, së pari nga e pandehura Sebiha kanë blerë dy monedha të falsifikuara nga 500 marka gjermane, për çmimin prej 160 marka gjermane të vërteta.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë veprim e ka përsëritur në fund të muajit shkurt të vitit 2001, në të njëjtin lokal, ku nga e pandehura Sebiha kanë blerë edhe një monedhë të falsifikuar nga 500 marka gjermane, të cilën e kanë vënë në qarkullim si të vërtetë.

Me këtë monedhë të falsifikuar, në tregun e veturave në Prishtinë, nga një person NN kanë blerë goma, dhe nga ky person për kusur kanë marrë 500 marka gjermane të vërteta.

Hera e tretë kishte ndodhur më 3 mars 2001, përsëri në të njëjtin lokal dhe përsëri nga e pandehura Sebiha ka blerë dy monedha të falsifikuara nga 500 marka gjermane, për të cilat të pandehurit kanë paguar 320 marka gjermane të vërteta dhe të njëjtën ditë gjatë kontrollimit të pandehurve Policia u ka gjetur dhe konfiskuar dy monedha të falsifikuara nga 500 marka gjermane.

Me këtë, ai ngarkohej për veprën penale falsifikim i parasë nga neni 244 paragrafi 1 i KPPK- së, derisa pas pretendimeve të avokatit se duhet të jetë paragrafi 2, Gjykata sipas detyrës zyrtare e rikualifikoi këtë paragraf.

Në fund, Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit e gjeti fajtor të akuzuarin dhe i shqiptoi dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh për një periudhë verifikuese 1 vjeçare, si dhe rikualifikoi paragrafin për të cilin mbrojtja pati kundërshtime.