Prokuroria intervistoi Faton Topallin për 'Syrin e Popullit'

Kronika March 15, 2018 - 18:34

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit të kaluar, ka intervistuar në cilësinë e dëshmitarit ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, lidhur me organizatën e dyshuar terroriste “Syri i Popullit”.

Insajderi ka siguruar intervistimin e Topallit nga hetuesit e departamentit për Krime të Rënda pranë Policisë së Kosovës, në të cilin, deputeti i “Grupit të Deputetëve të Pavarur” dëshmon për organizatën “Syri i Popullit”.

LEXO EDHE: Prokuroria Speciale e interviston Hashim Thaçin për “Syrin e Popullit”

Në pyetjen se a e njihni personin Murat Jashari nga Kumanova, Topalli, u ka thënë hetuesve: “Nuk e kam njohur. Për herë të parë kam dëgjuar nga një medium se e paskam takuar, data nuk më kujtohet por e kemi lënë të takohemi me një profesor gjerman, Max Brum, në lagjen Zllatar në restorant ‘Panorama’ rreth orës 11:00, ku jemi takuar me profesorin pas nja 5 minutash kam vërejtur se në tavolinën tjetër ka genë asambleisti i kuvendit komunal në Prishtinë Sadri Ramabaja me dy persona tjerë”.

Topalli ka dëshmuar se, Ramabaja dhe dy personat e tjerë që kishin qenë në tavolinë me të, i kishin parashtruar një kërkesë atij.

“Sadria i prezantoj si bashkatdhetar nga Zvicra, kemi shkëmbyer si jeni dhe si kaloni, njëra nga ta më ka pyetur për numër telefoni të një bashkatdhetari i cili jeton po në të njëjtin kanton ku e kam familjen në Zvicër”, ka deklaruar Topalli.

“Ndërkohë ka ardhur edhe profesori për ta përshëndetur Sadri Ramabajën e gjithë kjo ka zgjatur dy-tre minuta dhe biseda është zhvilluar në këmbë, me profesorin gjerman jemi kthyer në tavolinën ku ishim. Pas 2-3 ose 4 ditësh nuk më kujtohet saktë më ka njoftuar se një medium ka shkruar se atentatori i Azem Vllasi ka kontaktuar të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje duke u thirrur në burimet”, ka thënë Topalli.

Topalli, në intervistimin nga prokuroria, ka thënë shton se për herë të parë për organizatën ‘Syri i Popullit’ kam ndëgjuar nga Kadri Veseli pasi kishte ndodhur rasti i Azem Vllasit.

“Kemi qenë në Kuvend të Republikës së Kosovës në pritje zyrtare për një delegacion të huaj”, ka thënë Topalli.