Kronika

Amaneti i 45-vjeçarit para vetëvrasjes në Gjakovë: Grua ma bëj hallall për çdo gjë

Amaneti i 45-vjeçarit para vetëvrasjes në Gjakovë: Grua ma bëj hallall për çdo gjë
13 mars 2018 • 20 : 00

'Grua bëma hallall për çdo gjë', këto kanë qenë fjalët dhe porosia e fundit e 45-vjeçarit nga fshati Skivjan, në komunën e Gjakovës, para se ta vriste veten të premten që shkoi, në oborrin e shtëpisë së motrës së tij.

Gazeta Express të martën ka qëndruar në familjen e viktimës, si dhe në vendin e punës, ku ai kishte punuar deri në muajin janar të këtij viti. Ata kanë rrëfyer rreth ngjarjes. Motivet që e çuan 45-vjeçarin drejt këtij akti nuk dihen.

Ndërkohë, Policia e shtetit po i vazhdon hetimet rreth kësaj ngjarje të rëndë.

Dhjetëra persona, të martën, në orët e para të pasdites, ia kishin mësyrë shtëpisë së familjes Namonaj, nga fshati Skivjan i Komunës së Gjakovës.  Ata po shkonin për të shprehur ngushëllime për vdekjen e 45-vjeçarit, Vesel Namonaj. Familja sot po e mbyllte të pamen, pas vdekjes së djalit të saj.

I ndjeri doli nga shtëpia mëngjesin e së premtes së kaluar. Ishte nisur për në shtëpinë e dhëndrit të tij, që e kishte në Gjakovë. Por, 45-vjeçari  më nuk u kthye i gjallë në shtëpinë e tij. Vesel Namonaj u vetëvra me pistoletë në kokë në oborrin e dhëndrit.

Por, pak para se ta kryente aktin ai i la një mesazh familjes.  'Grua bëma hallall për çdo gjë', ishin fjalët e fundit që familja e Veselit i mori nga ai. Pas këtij mesazhi, djali i viktimës ishte nisur drejt Gjakovës për të shkuar tek babai i tij. Por, në oborrin e shtëpisë, që gjendej në rrugën ‘Bajram Curri’ të Gjakovës, ai e pa të atin e tij vetëvrarë me një plumb në kokë.  I ndjeri ishte me profesion hotelier, dhe për disa vite kishte punuar në një hotel në Deçan.

Gazeta Express të martën ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Por, familjarët nuk kanë dashur që të japin detaje rreth këtij rasti. Ata kanë deklaruar se nuk i dinë motivet që e shtynë të ndjerin drejtë vetëvrasjes. Thonë se ai nuk kishte pasur probleme me askënd, dhe se kishte pasur jetë të lumtur bashkëshortore, nga e cila kishte dy fëmijë.

“Nuk ka pas asnjë problem. Ka qenë njeri i qetë i ndershëm dhe shumë i respektuar. Ne nuk i dimë motivet që e shtynë atë ta bënte këtë veprim. Jemi në dhimbje na leni ta kryejmë të pamën”, thanë për Express kushërinjtë e të ndjerit.

Vesel Namonaj për disa vite kishte punuar si hotelier në komunën e Deçanit. Por, në muajin janar të këtij viti ai e la punën ku shërbente për disa vite. Kjo, për arsye të ndërrimit të pronarëve të lokalit, të cilët nuk i ofruan pagë të njëjtë Namonajt.
Për Express, detaje për këtë punë ka dhënë kolegu i të ndjerit, Venon Lushaj.

Vendi ku ka punuar me vite i ndjeri

“Kemi punu gjashtë vjet bashkë. Nuk ka pas asnjë problem me askënd. Ka qenë profesionist në punën që e ka kryer. Këtu tek ne ka punuar deri më 29 janar, pastaj e la. Mesa e di pati punuar pak dhe në një lokal tjetër”, thotë kolegu i të ndjerit.
Ai e kujton Namonajn si njeri shumë të përkushtuar për punë

“Nuk e di, nuk e  kam besu që ai e ka bërë këtë akt. Sinqerisht me vjen shumë keq. Se e kam pas si familje jo vetëm si shok”, rrëfen shoku i ngushtë i të ndjerit.

Për këtë rast, hetimet është duke i vazhduar edhe Policia e Kosovës.

“Policia në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po merr masat e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Sa i përket motivit dhe procesit hetimor në përgjithësi policia në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit po vazhdojnë me veprime hetimore të trajtojnë këtë rast edhe më tutje”, ka thënë Lirije Podrimaj, zëdhënëse për informim në Komunën e Gjakovës. /GazetaExpress/

© zëri.info