Prokuroria Speciale po heton vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kronika March 12, 2018 - 16:28

Prokuroria Speciale po merret me hetimet rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit. 

Hetimet për vrasjen e liderit serb të SDP’së, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë kaluar në përgjegjësi të Prokurorëve Special të Kosovës. 

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Zyra për Informim e Prokurorisë së Shtetit. 

“Mund të ua konfirmojë që rastin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit tashmë e ka Prokuroria Speciale e Kosovës e cila është duke i vazhduar hetimet”, thuhet në përgjigjen për Express. 

Deri më tani, hetuesit dhe Prokuria kanë nxjerrë disa kallëzime penale për këtë rast, por pa rezultuar me asnjë të dyshuar kryesorë apo të arrestuar për vrasjen e ish-deputetit dhe ish-anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për disa legjislatura pas lufte.

Oliver Ivanoviq u vra më gjashtë plumba, mëngjesin e të martës së 16 janarit, derisa po shkonte me këmbë në zyrën e partisë së tij SDP në veri të Mitrovicës. 

Ivanoviq, menjëherë pas lufte u bë politikani serb më i pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Me vite të tëra, serbi i lindur në Deçan, habiste shqiptarët dhe serbët në të njëjtën kohë, deri kur ndaj tij,  EULEX ngriti aktakuzën për krime lufte dhe vrasjen e 49 shqiptarëve, përfshirë 20 viktimat e lagjes së Kovaçëve.