Masakroi për vdekje shokun, pamjet si autori zbulon armën e krimit

Kronika March 09, 2018 - 13:43
Vihet në pranga autori i crasjes së 36 vjeçarit nga Fieri

Janë zbardhur pamjet nga aksioni në Fier ku u vu në pranga autori i vrasjes së 36-vjeçarit Kreshnik Beqiraj. 

Siç mund t'a shihni në videon e bashkëngjitur lajmit, autori është shoqëruar për në vendin e krimit ku ka treguar edhe çekiçin dhe batanijen. 

Prej 7 muajsh familja Beqiraj denoncoi djalin e humbur, Kreshnik Beqiraj.

Viktima, 36-vjeçari u gjet në një kanal i mbështjellë me një batanije dhe policia ngriti dyshimet se ai është vrarë.

Për këtë ngjarje të rëndë është vënë në pranga shoku i tij i ngushtë, Albert Zekaj, 32-vjeç nga Malësia e Madhe, raporton albeu.com.

Ky shtetas ka qenë shok me viktimën K.B., ku janë njohur para tre vjetësh në Belgjikë dhe më pas kanë qëndruar në shtëpi me qera në qytetin e Fierit.

Pas arrestimit ai ka pranuar krimin makabër duke shtuar se ai ka qënë i dehur në momentet e ngjarjes. 

Mësohet se fillimisht ai e ka goditur me çekiç shokun e tij e më pas ka tentuar të fshehë trupin e tij. 

Njoftimi i policisë

Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një pune të mirëorganizuar operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë e mundur zbardhja e vrasjes së shtetasit K.B, 36 vjeç, banues në Fier.

Po në vijim të punës hetimore u bë identifikimi e ndalimi i autorit të vrasjes Albert Zekaj, 32 vjeç, banues në Kalldrun, Bashkia Koplik, Malësi e Madhe. 

Ky shtetas ka qenë shok me viktimën K.B., ku janë njohur para tre vjetësh në Belgjikë dhe më pas kanë qëndruar në shtëpi me qera në qytetin e Fierit.

Më datë 22.06.2017 rreth orës 23:00 ky shtetas dyshohet se e ka vrarë ne sende te forta dhe trupin e ka hedhur në afërsi të fshatit Daullas. 

Ne vijim të hetimeve dhe informacioneve operative u arrit të identifikohej autori dhe u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Pas marrjes në pyetje ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe hedhjen e kufomës në vendin ku u gjet. 

Viktima ishte denoncuar në polici i humbur nga familjarët, por nga veprimet e kryera si dhe nga dyshimet e familjarëve, në muajin Janar 2018 Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka nisur hetimet pasi dyshohej se ky shtetas mund të ishte vrarë ose rrëmbyer.

Nga kryerja e veprimeve proceduriale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– një batanije e cila kishte shërbyer për transportin e trupit.
– një çekiç me të cilin autori ka kryer krimin;
– mbetje të trupit të cilat u dërguan pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, për ekzaminim të mëtejshëm.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vrasje me dashje“ /albeu.com/