Kushtetuesja ia hedh poshtë ankesën shtetasit të Serbisë që solli 12 kilogramë eksploziv nga Beogradi në Prishtinë

Kronika February 28, 2018 - 18:54

Shtetasi i Serbisë Slobodan Gavriq më 2014 u kap me më shumë se 12 kilogramë eksploziv dhe u dënua nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 13 vite burg.

Por, qytetari i Beogradit që solli nga Beogradi 23 paketa eksploziv në Prishtinë, e çoi rastin e tij deri në organin me të lartë të gjyqësisë, në Gjykatën Kushtetuese.

Shtetasi i Serbisë Slobodan Gavriq ishte arrestuar në Prishtinë në dhjetor të vitit 2014, pasi në makinën me të cilën udhëtonte, policia gjatë kontrollit zbuloi 12.2 kilogramë eksploziv në gjithsej 23 paketa, shkruan Gazeta Express.

Prokuroria Speciale e Shtetit më 2015’n pati ngritur aktakuzë kundër Gavriqit për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, eksplozivin Gavriqi e kishte marrë në Beograd dhe dyshohej për përgatitjen e veprës penale terroriste. I njëjti për këtë vepër u dënua nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 13 vite burg.

Por, Gavriq ka parashtruar ankesë në shkallën e dytë të gjyqësisë, në Apel, duke thënë se aktgjykimi i Gjykatës Themelore ka shkelje esenciale të dispozitave ligjore dhe procedurës penale, si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe veprimit për dënim.

Ai ka thënë se shkalla e parë, e cila ia shqiptoi 13 vite burg, nuk kishte vërtetuar mjaftueshëm “dashjen” e tij për të kryer vepër penale, si pjesë përbërëse e veprës për të cilën ishte dënuar.

Edhe Gjykata e Apelit e kishte aprovuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e dënoi atë me 13 vite burg për këtë vepër penale.

Gavriq kishte dërguar kërkesë në shkallën e tretë të gjyqësisë, në Gjykatën Supreme, për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuar. Por, edhe Supremja tha se shkalla e dytë në aktgjykimin e saj i ka arsyetuar të gjitha faktet relevante në këtë çështje juridike.

Por, ai nuk e la këtë çështje me kaq. Ankesë dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese, në organin më të lartë të gjyqësisë.

Në ankesën e tij të dërguar në Kushtetuese pretendon se vepra për të cilën u dënua, neni 144.3 i Kodit Penal të Kosovës në versionin e gjuhës serbe nuk përkon me veprën e dënimit “sjellje e eksplozivëve në Kosovë”.

Ai gjithashtu kërkoi nga Kushtetuesja marrjen e vendimit ndryshues, përkitazi me cilësimin e veprës penale dhe zvogëlimin proporcional të dënimit.

Gjykata Kushtetuese për ankesat e tij thotë se akti i sjelljes së lëndëve shpërthyese në Kosovës nuk ishte definuar si vepër penale në versionin serbisht të KPK’së në kohën kur është kryer vepra penale, derisa Gavriq theksoi se vepra penale ishte përcaktuar vetëm në versionin në gjuhën shqipe të Kodit Penal të Kosovës.

Si përmbledhje e gjithë këtyre ankesave, vendimi i Kushtetueses, i siguruar nga Gazeta Express, thotë se kërkesa e tij nuk i ka plotësuar kriteret e provueshmërisë së përcaktuara me nenin 113 (1 dhe 7) të Kushtetutës. Prandaj, shkalla më e lartë e gjyqësisë, vendosi që kërkesën e Slobodan Gavriq ta deklarojë të papranueshme dhe ky vendim të hyjë në fuqi menjëherë pas marrjes së vendimit.

Më 25 dhjetor 2014, Slobodan Gavriq ishte duke transportuar eksploziv nga Beogradi në Prishtinë, me pretendimin se kishte për qëllim t’ia shiste një pale të tretë. Për këtë vepër, shkalla e parë e kishte dënuar atë me 13 vite burg.

Në Prishtinë ai u ndalua dhe u kontrollua nga policia, e cila në makinën e tij gjeti një qese që përmbante 23 paketa eksploziv me një peshë totale prej 12,219 kilogramë.