Zbulohet pllakë përkujtimore te vendi i vrasjes së Ivanoviqit

Kronika February 23, 2018 - 18:24
Pllaka u vendos nga partia e tij Liri, Demokraci, Drejtësi.

Të afërm dhe aleatë politikë të liderit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, i vrarë jashtë zyrës së partisë së tij muajin e kaluar, u mblodhën atje në Mitrovicën e veriut për të zbuluar një pllakë përkujtimore.

Kolegë partie të Oliver Ivanoviqit dhe disa anëtarë të familjes së tij zbuluan pllakën kushtuar politikanit të vrarë para ambienteve të partisë së tij në veri të qytetit të Mitrovicës, ku ai u qëllua për vdekje në janar.

“Duhet ta duroj këtë, sepse nëse tërhiqem pas, do të pranoja se ata janë më të fortë se gjithçka tek e cila besoja. Kjo e keqe nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Unë mendoj se një ditë do të ketë drejtësi. Kurrë! Kurrë nuk do të largohem nga Kosova dhe Metohija,” thuhet në pllakën e vendosur, raporton BIRN.

Djali më i madh i Ivanoviqit, Nikola, i cili mori pjesë në ceremoni, tha për gazetarët se fjalët e babit të tij ishin gdhendur të atë pllakë për të shërbyer si një “kujtesë”.

Pllaka u vendos nga partia e tij Liri, Demokraci, Drejtësi.

“Shpresoj të shohim të vendoset drejtësi dhe që autorët e krimit të nxirren para drejtësisë. Përndryshe, nëse ky krim mbetet pa ndëshkuar, ky qytet dhe ky popull nuk mund të presin asnjë lloj të ardhmeje më të mirë,” tha Dragisha Miloviq, i cili punonte me Ivanoviqin.

Ivanoviqi u qëllua dhe u vra më 16 janar. Çështja e tij është ende e hapur dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë arrestim.