Policia jep detaje për plagosjen në Prishtinë

Kronika February 21, 2018 - 21:06
Detaje dhe pamje nga vendi i ngjarjes

Një incident me armë zjarri ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.

Policia e Kosovës, e ka konfirmuar për “Zeri.info”, se nga ky rast është plagosur një person.

Këtë e ka konfirmuar për “Zeri.info”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 19:30 Policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën "Vëllezerit Fazliu" në Prishtinë. Menjëherë të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e operative”, ka deklaruar ai.

Borovci ka thënë për “Zeri.info”, se është arrestuar një qytetar, që dyshohet se ka bërë këtë vepër.

“Nga rezultatet e para të veprimeve hetimore policore dyshohet për një person të plagosur nga arma e zjarrit. Në të njëjtën kohë policia ka arrestuar një person të dyshuar si dhe ka konfiskuar një armë e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast”, ka deklaruar Borovci për “Zëri.info”.

Tutje ai ka thënë se viktima është transferuar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor dhe se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

“Viktima është transferuar në QKUK për trajtim mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq policia është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, ka deklaruar Borovci për “Zeri.info”.