Thaçi fali katër të dënuar për vrasje

Kronika February 20, 2018 - 19:14

Katër nga shtatë të burgosurit që fali presidenti Hashim Thaçi janë në burg për vrasje apo vrasje në tentativë.

Një gruaje dhe tre burrave u është falur pjesa e mbetur e dënimit ndërsa tre të tjerëve u janë falur disa vite nga dënimet e tyre.

Të dënuarit kanë qenë nëpër burgjet si Lipjan, Smrekonicë, Gjilan, Prizren dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Në një dokument të siguruar nga KALLXO.com, shihet se të falurit kryesisht janë të dënuar për vrasje, vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe rrezikim të trafikut publik.

Lirije Gërguri është falur nga presidenti.

Gërguri është dënuar me katër muaj burg për veprën: shkelje e urdhrit mbrojtës dhe lëndim i lehtë trupor.

Presidenti i ka falur asaj pjesën e mbetur të dënimit pra 28 ditë pasi dënimi i saj i rregullt ka qenë deri më 20 mars të këtij viti.

Haxhi Jahaj është një tjetër i falur nga ana e presidentit. Jahaj është i dënuar për rrezikim të trafikut publik.

Për këtë vepër Jahaj është dënuar me 1 vit e tre muaj burgim. Atij i është falur pjesa e mbetur e dënimit e cila me rregull do të përfundonte në shtator të këtij viti. Jahaj do të lirohet nga burgu më 7 qershor të këtij viti.

Fadil Binaku, i faluri tjetër nga presidenti, është duke mbajtur burg për rrezikim të trafikut publik. Ai është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg. Atij i janë falur tre muaj ndërsa do të lirohet më 26 shkurt.

Siç ka mësuar KALLXO.com, Ridvan Syla, një tjetër i falur, është i dënuar me dy vjet e 3 muaj burg për vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtje në kontroll dhe posedim i armëve.

Presidenti atij i ka falur tre muaj ndërsa lirimi i tij do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm.

Isa Mazreku është i dënuar me 14 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Presidenti Thaçi i ka falur Mazrekut katër vjet. Mazreku do të lirohet më 14 tetor të vitit 2021.

Valbona Zogaj, një tjetër e falur, është e dënuar me burg për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ajo është dënuar me 18 vjet burg.

Presidenti asaj i ka falur vetëm 2 vjet burg. Lirimi i Zogajt do të bëhet me 7 shkurt të vitit 2024.

Hamit Hyseni, i faluri i fundit i presidentit, është dënuar për vrasje. Ai po qëndron në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Dënimi i Hysenit është paraparë të jetë rreth 16 vjet.
Atij i janë falur 3 vjet burgim ndërsa do të lirohet më 27 gusht të vitit 2023.

Image