EULEX dorëzohet për rastin ‘Toka’, prokurori italian shpërthen me akuza ndaj eprorëve

Kronika February 20, 2018 - 14:36

Gati dy vjet pas arrestimit dhe ngritjes së aktakuzës për “krim të organizuar”, “pastrim parash”, e tjetërsim të pronave shoqërore në “Veternik” e Llapnasellë, menaxhmenti i EULEX’it ka hequr dorë nga gjykimi i ish-deputetit të PDK’së Azem Syla dhe 21 të akuzuarve të tjerë.

Kryetari i trupit gjykues në rastin e njohur “Toka”, Petko Petkov, ka ndërprerë që në nisje shqyrtimin e të hënës, pasi njoftoi se EULEX ka dorëzuar lëndën te gjyqësia vendore në Kosovë.

“Pak para se të vija në sallë e kemi marrë informatën se menaxhmenti i misionit e ka marrë vendimin për ta transferuar këtë rast në gjyqësorin vendor. Kështu që pas këtij vendimi, të gjitha seancat e radhës anulohen”, ka njoftuar gjyqtari.

Më pas, në sallë kanë pasuar ovacione që dukeshin si të gëzimit nga të akuzuarit, por edhe nervozizëm i prokurorit të rastit.

Italiani Danilo Ciccarelli ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj misionit ndërkombëtar për sundim të ligjit në Kosovë, që në qershor të këtij viti pritet ta përfundojë mandatin.

“E kundërshtoj këtë vendim. Është i padrejtë. Është një vendim që askush tjetër nuk mund ta marrë përveç presidentit të gjyqtarëve të EULEX’it, e jo menaxhmenti i tij”, ka thënë prokurori Ciccarelli.

Ka shkuar aq larg, sa tha se “transferimi i kësaj lënde në gjyqësorin vendor nënkupton përfundim të kësaj lënde”.

“Dhe ne gjithë e dimë pse”, tha italiani, në gjykatë.

Sipas prokurorit të EULEX’it, vendimi që po thuhet se është marrë nga menaxhmenti i misionit, pjesë e të cilës është edhe ai vetë, nuk do të dihet kurrë nga kush është marrë.

“Kjo duhet të jetë e qartë, se ky nuk është një vendim as i prokurorisë e as i gjyqtarëve. Personi që ka marrë këtë vendim kurrë nuk do të dihet se kush është. Nuk e dimë emrin e këtij personi dhe asnjëherë nuk do të dihet”, ka thënë ai.

Prokurori Danilo Ciccarelli ka vazhduar akuzat për misionin ndërkombëtar.

“Dorëzimi i kësaj lënde, në mes të shqyrtimit kryesor, me të pandehurit në paraburgim që nga prilli i vitit 2016, është turp për EULEX’in, është e pabesueshme. Paaftësi për të vënë drejtësi në misionin e sundimit të ligjit të Bashkimit Europain”, tha ai.

Sipas tij, prokurorët e as gjyqtarët e rastit nuk mund të lejojnë që për një rast për të cilin janë mbajtur të akuzuarit në paraburgim për dy vite gati, papritmas të vendoset që të dorëzohet.

“Ky është dështimi më i madh i EULEX’it, e jo ato skandalet e marrëzishme të pretenduara të cilat kurrë nuk kanë ndodhur. Ky është misioni ynë, që të japim drejtësi dhe këtu po dështojmë”, tha prokurori nga Italia.

Në kundërshtimin e tij që kërkoi të shënohet edhe në procesverbal, prokurori special i EULEX’it, tha se misioni i BE’së për sundim të ligjit në Kosovë ka pasur kohë të mjaftueshme për ta përfunduar rastin “Toka”, po të dëshirohej. Ai kujtoi se për muajt shkurt dhe mars kanë qenë të caktuara datat e seancave që të ketë gjykim të rastit tre herë në javë, ndërsa për prill, maj dhe deri në gjysmë të qershorit tha se do të mund t’i caktonin seancat që të mbaheshin çdo ditë, që rasti të marrë verdiktin para largimit të EULEX’it nga Kosova.

Gjykimi i Azem Sylës dhe 21 të akuzuarve tjerë ka nisur në dhjetor të vitit të shkuar. Por, asnjë nga seancat e caktuara të shqyrtimit gjyqësorë, nga fundi i vitit të shkuar e deri më sot nuk është përfunduar. Kjo pasi në secilën prej tyre kanë munguar, herë avokatë e më shumë të akuzuarit. Këta të fundit, mungesat i kanë arsyetuar me probleme shëndetësore e i arsyetonin edhe me dokumente të mjekëve.

Paraprakisht, mbrojtja e Azem Syles nuk e pranonte as përbërjen e trupit gjykues, ndaj të cilit bëri disa ankesa.

Në seancën e paraparë për javën e shkuar, arsyetim të tillë kishte dhënë edhe vetë Azem Syla, që nuk erdhi në sallë. Derisa, trupi gjykues më 1 shkurt të këtij viti, për shkak të trajtimit mjekësor, veçoi nga rasti lëndën e ish-kryetarit të Gjykatës së Prishtinës, Nuhi Uka. Kjo pasi ky i akuzuar ka dëshmuar në gjykatë se po merr trajtim mjekësor në Beograd, çka ia pamundëson praninë në seanca.

Aktakuza në rast “Toka” është ngritur në vitin 2016 nga Prokuroria Speciale. Në përfshihet ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe 21 persona të tjerë të akuzuar për “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”, etj.

Numri i të akuzuarve për këtë rast shkon në 39 persona gjithsej, pasi 17 të akuzuar të tjerë janë përfshirë në aktakuzën e dytë të ngritur nga Prokuroria për rastin “Toka”.