Gjatë kësaj jave pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin “Toka”

Kronika February 19, 2018 - 13:44


Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 22 persona të tjerë të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale, në rastin e njohur “Toka”, pas më shumë se një vit pritje deri në konfirmimin e aktakuzës, ende nuk i kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse për të filluar shqyrtimin kryesor.

Pas shumë dështimeve të hapjes së shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, Petko Petkov, ka caktuar datat e reja të mbajtjes së seancave të këtij rasti, ku është paraparë që ato të mbahen më 20, 21 dhe 22 shkurt 2018.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, avokati Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Shpresim Uka.

Po ashtu këto data evidentohen edhe në orarin e seancave gjyqësore në faqen zyrtare të EULEX-it.

Ndryshe, siç raportuar në vazhdimësi “Betimi për Drejtësi”, më 22 dhjetor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte paraparë që të fillojë shqyrtimin kryesor të këtij rasti më 8 janar dhe deri në mars të vitit 2018, kishte caktuar rreth 30 seanca.

Përpjekja e parë për të filluar shqyrtimin kryesor ishte bërë më 9 janar 2018, edhe pse në sallën e gjykimit ishte paraqitur prokurori i rastit Danilo Ciccarelli dhe pothuajse të gjithë të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, kryetari i trupit gjykues Arccadius Sedeck doli para palëve vetëm me një anëtarë të trupit gjykues, gjykatësin tjetër të EULEX-it, Petko Petkov.

Sedeck kishte thënë se për shkak se në trupin gjykues ende nuk ishte caktuar një gjyqtar vendor, seancat e javës së dytë të janarit duheshin të shtyheshin.

Kjo kishte ndodhur pasi në këtë para ngritjes së aktakuzës ishte zhvilluar procedura hetuese e veçantë dhe në atë kolegj, si gjyqtare vendore kishte marrë pjesë gjykatësja Nora Bllaca-Dulha, gjykatësja vendore ndërkohë është transferuar në Gjykatën e Apelit dhe siç kishte thënë gjykatësi Sedeck, ai kishte paraqitur një kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që Bllaca-Dulhën ta kthej në trupin gjykues të këtij rasti në mënyrë që të vlejnë provat e marra në mundësinë hetuese të veçantë.

Edhe pse Sedeck kishte thënë se kërkesa e tij do të shqyrtohej brenda një jave kjo gjë nuk ndodhi.

Tentimi i dytë për hapjen e shqyrtimit kryesor u bë më 24 janar 2018, si kryetar i trupit gjykues nuk u paraqitë më gjykatësi Arcadius Sedeck por gjyqtari Petko Petkov, që fillimisht ishte menduar të jetë anëtar i trupit gjykues.

Petkov në krahun e majtë të tij kishte gjykatësin vendës Vesel Ismajli, ndërsa në krahun e tij të djathë kishte gjykatësin tjetër të EULEX-it, Vladimir Mikula.

Sipas Petkovit, deri te kjo përbërje e re e trupit gjykues kishte ardhur pasi bashkë  me gjykatësen Nora Bllaca, në kolegjin e mundësisë hetuese të veçantë ishte edhe gjykatësi Mikula.

Mikula që është edhe në listën e gjykatësve të Gjykatës Speciale, ishte një arsye tjetër që palët të mos fillojnë fjalët e tyre hyrëse.

Mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha kishte deklaruar se pasi gjykatësi Mikula është edhe pjesë e gjykatësve të EULEX-it, nuk është e sigurt pjesëmarrja e tij në këtë rast dhe për këtë kishte kërkuar përjashtimin Mikulës nga trupi gjykues.

Tentimi i tretë i pasuksesshëm për të filluar këtë shqyrtim gjyqësor u bë më 1 shkurt 2018, në atë seancë gjykatësi Petkov njoftoi palët se kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e avokatit Berisha për të përjashtuar nga trupi gjykues gjykatësin Mikula.

Edhe pse në këtë seancë pa prezencën e të akuzuarës Elhame Ukaës, që u tha se ishte në spital, u vendos që të veçohet procedura penale ndaj Nuhi Ukës, pasi i njëjti është i shtrirë në një Spital në Beograd për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në këtë seancë, mbrojtësi i Azem Sylës, po ashtu njoftoi trupin gjykues se ai i është drejtuar me një kërkesë KGJK-së që në trupin gjykues të këtij rasti të caktohet një trup gjykues me shumicë shqiptare sepse sipas tij mandati i EULEX-it do të përfundoi në fund të qershorit.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Elhame Uka, gjykatësi Petkov vendosi që të shtyj seancën për 13 shkurt 2018.

Përpos 13 shkurtit, javën e kaluar ishin paraparë që shqyrtimet gjyqësore të mbaheshin edhe më 14 e 15 shkurt, por të gjitha këto ishin anuluar.

Shkaku i shtyrjes së këtyre seancave ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e Azem Sylës, që sipas gjykatësit Petkov, Syla të martën e 13 janarit, nga qendra e paraburgimit ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në mënyrë që ta merr trajtimin e duhur mjekësor.

Edhe pse fillimisht ishte paraparë që të shtyhet vetëm seanca e 13 shkurtit, Petkov më pas ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se ishin anuluar edhe seancat e 14 e 15 shkurtit.

Pas të gjitha këtyre përpjekjeve, Petkov tash ka caktuar seancat më 20, 21 e 22 shkurt 2018, në mënyrë që të behët një tentim i ri që të hapët shqyrtimi gjyqësor.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Ndryshe, më 12,13 dhe 15 dhjetor 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në këtë rast, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë.

Mbrojtja kishte vazhduar të kërkoi rrëzimin e aktakuzës së prokurorisë, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjykatësit Sedek për konfirmimin e aktakuzës, të cilin e ka konsideruar atë si vendim të padrejtë.

Gjykata e Apelit, më 26 tetor 2017, ka nxjerrë aktvendim me të cilin kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe në këtë mënyrë ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 24 tetor të vitit 2016./Betimiperdrejtesi/