Tragjedia në Viti, babai akuzon bashkëfshatarin se ia nxiti djalin të bëjë vetëvrasje

Kronika February 15, 2018 - 18:18

Enis Rrahmani nga fshati Verban i Komunës së Vitisë i dha fund jetës me litar, të mërkurën që shkoi. Prindërit për herën e fundit e Enesin e kishin parë një natë më herët.

Trupin e vdekur të të birit e kishte gjetur nëna e tij në oborrin e shtëpisë. Ata po e akuzojnë bashkëfshatarin, Avdush Emërllahun, se e nxiti të birin e tij drejt vetëvrasjes, duke i dhënë droga. Emërllahu është arrestuar, por policia nuk ka dhënë më shumë detaje për të.

Dhjetëra njerëz, pasditen e së enjtes, ia kishin mësyrë shtëpisë së Hazbi Rrahmanit, në fshatin Verban të Komunës së Vitisë. Po shkonin për ta ngushëlluar Hazbiun për djalin e tij. 17 vjeçari, Enis Rahmani, u gjet i vdekur në mëngjesin e së mërkurës, nga nëna, në oborrin e shtëpisë. Ai dyshohet se bëri vetëvrasje. Express, të enjten ka qëndruar në shtëpinë e viktimës, ku babai i tij Hazbiu ka rrëfyer për ngjarjen.

Babai i së ndjerit rrëfen se i biri i tij Enisi, për disa ditë rresht kishte qenë nën presionin e një bashkëfshatari të tij, emri i së cilit thotë se është Avdush Emerllahut. Çka, sipas babait të të ndjerit, e shtyu 17-vjeçarin drejt vetëvrasjes.

Thotë se Emërllahu i kishte dhënë drogë (lloji hashash), djalit të tij

“Një katundar këtu e ka ngacmua djalin tonë. I ka dhanë hashash edhe ka ardh e ka ngacmu djalin. I ka dhanë djalit bari, e djali u tut prej meje me kallxu. Ai e ka lyp djalin, nuk ka mujtë me e gjetë”, rrëfen me lot në sy për vdekjen e djalit, Hazbi Rrahmani nga fshati Verban i Vitisë.

Ai tutje tregon se tri ditët e fundit, djali i tij, kishte qenë për vizitë tek dajat e tij. Thotë se në atë kohë, bashkëfshatari ia kishte kërkuar djalin. Sipas tij, djali i ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e së martës, për t’u gjetur i vdekur një ditë më pas nga nëna e tij, duke mos mundur të tregojë për mënyrën sesi ka kryer vetëvrasje

“Djali ka qenë te dajtë e tij ku ka nejtë dy ditë. Në ditën e tretë ka ardhë në shpi ka hangër sill (drekë), ka pi çaj, ka ndejtë me babagjyshin e tij, me gjyshen. Atë ditë ia ka bajtë drutë nënës së tij. Unë kamë qenë në punë dhe pastaj ma se kemi pa. Kur jam kthy unë kam dal e kamë lyp. Atë natë nuk e kemi gjetë. Por, në mëngjes kur është çu nana e vet, ka dal dhe të vdekur e ka gjetë pas shtëpisë. Ky katunari e ka emrin Avdush, i ka diku afro 42 apo 43 vjet. Djali ka ardhë më babgjyshin e vet nga Dobreshi ku ka ndejtë dy netë”,tregon prindi i Enis Rrahmanit. Enisi ka lënë pas edhe një vëlla tjetër.

Personi që po akuzohet nga familja është arrestuar dje

Një ditë pasi që i vdiq djali, babai i Enisit 17-vjecar, Hazbiu, po shpreson se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast. Thotë se i dyshuari kryesor mbetet fqinji i tij, Avdushi, i cili sipas tij është i moshës 43 vjeçare.

E personi të cilin po e akuzon familja për vdekjen e 17-vjecarit, u arrestua të mërkurën nga ana e policisë së Kosovës. Nëna e tij, i ka thënë gazetës, se i biri iu arrestua nga ana e organeve të hetuesisë të mërkurën në orët e para të pasdites.

“Avdushi nuk është këtu. Është në burg. Dje kanë ardhë e kanë marrë policia. Nuk e di për çka e kanë marrë. Dje na kanë ardhë 20 policë ka ora 11 e mëngjesit dhe kanë qëndruar deri në 6 mbrëmje”, ka thënë nëna e Avdushit.

Rreth këtij rasti, Gazeta ka tentuar që të marrë përgjigje nga ana e policisë rajonale të Gjilanit, rreth kësaj çështje, por këta të fundit kanë dhënë detaje duke u arsyetuar se rasti është nën hetime. Ndërkohë, mësohet se gjatë arrestimit në shtëpinë e të dyshuarit policia ka gjetur një sasi të lëndëve narkotike, dhe disa armë.

Shokët e Enisit: Ai ka qenë djalë i urtë dhe i sjellshëm

Bashkëmoshatarët e të ndjerit e kujtojnë shokun e tyre si një djalë të urtë dhe të sjellshëm. Ata të enjten ishin mësyrë rreth shtëpisë të së ndjerit për t’iu shprehur ngushëllime familjarëve. Thonë se nuk janë në dijeni se shoku i tyre ka pasuar ndonjë problem me ndonjë person.

“Ne e kujtojmë si djalë të urtë dhe të sjellshëm. Nuk ka pas probleme me askënd. Të paktën me neve asnjëherë nuk ka shfaqur ndonjë brengë apo diçka tjetër. Ka qenë djalë shembullor. Thjesht ne jemi të shokuar nga kjo ngjarje”, thonë shokët e 17-vjeçarit të ndjerë.

Enis Rrahmani, nga fshati Verban i Vitisë u gjet i vdekur nga nëna e tij, mëngjesin e së mërkurës, në oborrin e shtëpisë.