Rritet kontrabanda në veri të Kosovës

Kronika February 13, 2018 - 08:59

Kontrabanda në veriun e Kosovës është rritur pavarësisht kontrollit të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, ndërkaq grupet kriminale kryesisht në veri të Mitrovicës, që udhëhiqen nga njerëz të fuqishëm, janë bërë rrezik i madh për vetë serbët e asaj pjese. Dragisha Milloviq thotë se këto grupe kontrollojnë gjithçka në veri të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Veriu i Kosovës, posaçërisht veriu i Mitrovicës, edhe më tutje po vazhdon të jetë ambient ideal për kontrabandë, korrupsion dhe kriminalitet.

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit veriu i Mitrovicës është bërë rrezik për vetë serbët e asaj pjese, pasi që tashmë dihet se grupet kriminale që udhëhiqen nga njerëz të fuqishëm kontrollojnë gjithçka në atë pjesë.

Liderë të serbëve të veriut të Mitrovicës vlerësojnë se me pushtetin në veri të Mitrovicës udhëheqin grupet mafioze, të cilët, siç thonë ata, kontrollojnë gjithçka në pjesën veriore të Mitrovicës, shkruan tutje "Zëri".

Megjithëse shteti i Kosovës ka arritur t’i fusë nën kontroll dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak, me një marrëveshje të arritur në Bruksel për kufijtë e integruar, kontrabanda në veri të vendit ka arritur përmasa të mëdha.

LEXO EDHE: Bonuse për bordet e ndërmarrjeve që performuan me humbje

Arian Zeka, kryetar i Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se në pjesën veriore kontrabanda me produkte të ndryshme, në veçanti me karburante, është rritur dukshëm në vitin e fundit.

“Edhe pas 10 vjetëve institucionet ballafaqohen me normën e lartë të informalitetit, i cili llogaritet të jetë 31,7 për qind e bruto produktit vendor”, tha Zeka, ndërkaq Kestrim Kumnova nga kompania GEKOS ka konstatuar se gjysma e bizneseve në veri janë të pafiskalizuara e që ndikojnë në rritjen e normës së informalitetit.

Sipas tij, çështja e naftëtarëve ka qenë më problematike për tre vjetët e fundit, ndërsa si problem serioz e konsideron mosfiskalizimin e taksive, të cilat kanë rreth 6 milionë euro qarkullim në vit.

Ai tha se importi i vajrave që përdoret për ngrohje po e dëmton ambientin e po ashtu edhe tregun e naftës.

Milloviq: Bandat kriminale kontrollojnë gjithçka

Në anën tjetër, vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe dështimi për t’i gjetur autorët e krimit ka shqetësuar serbët e veriut të Mitrovicës.

Posaçërisht ndihen të kërcënuar liderët serbë, të cilët kanë pasur lidhje dhe mbështetje të Oliver Ivanoviqit. Ata thonë se veriun e Mitrovicës e kontrollojnë grupe mafioze që udhëhiqen nga njerëz të fuqishëm, të cilëve as shteti nuk mund t’u bëjë gjë.

Për shumicën e serbëve në veri të Kosovës shqetësim shumë i madh është frika në rritje nga mafia që sundon në këtë pjesë.

Dragisha Milloviq, ish-kryetar paralel i Zveçanit, i cili në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i IQ-së për Zveçanin për kryetar të Zveçanit dhe që mbështetej nga Oliver Ivanoviq, thotë se bandat kriminale në veri kontrollojnë gjithçka dhe ata vendosin, siç thotë ai, “mes jetës e vdekjes”.

“Ata e vendosin kush do të bëhet kryetar, kush do të jenë drejtorët e firmave serbe, kush do të punësohet nga ato firma. E kontrollojnë rrjedhën e parave në veri dhe kështu kanë të gjithë fuqinë, gjithashtu kontrollojnë edhe disa policë. Oliveri e bënte me dije këtë”, thotë Milloviq.

Sipas tij, Beogradi krijoi Listën Serbe, të cilën komplet e kontrollon dhe e cila ka mbështetjen e partisë së Aleksandër Vuçiqit – SNS.

“Ivanoviq nuk pajtohej dhe kishte qëndrime kundër Listës Serbe, andaj edhe është cilësuar si tradhtar. Nuk kemi pse të mendojmë të gjithë si Lista Serbe, nuk jemi në Korenë Veriore”, është shprehur Milloviq.

Janiq: Veriu, vend i rrezikshëm

Në anën tjetër, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka thënë se pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit Mitrovica Veriore është bërë vendi më i rrezikshëm ku jetojnë serbët.

“Është ambient ideal për korrupsion e kriminalitet e natyrisht edhe për politikanë që duan të pasurohen shpejt, gjë që më së lehti bëhet përmes kriminalitetit. Tek njerëzit me të cilët kontaktoj atje në Mitrovicë mbretëron pasiguri dhe frikë. Ata po ndiejnë se e keqja nuk ka shkuar. Problemi aty është se politika në kohë të fundit është mbështetur në dhunë e në kriminalitet. Serbia tani është para zgjedhjes: ose do të lejojë që mafia ta marrë krejtësisht kontrollin, ose do t’i qërojë hesapet me të keqen që e ka përfshirë gjithë veriun e Kosovës”, ka thënë Janjiq për REL-in.

Janjiq shton se Beogradi mendon ta kontrollojë situatën në veri të Kosovës dhe këtë e bën përmes grupeve kriminale.

“Ne kemi informata se ato grupe kriminale po përpiqen ta marrin edhe komunitetin informativ. Ato kanë ndikim shumë të madh në institucione e të mos flasim ç’ndikim kanë te punët ndërtimore e të tjera që sjellin fitim të shpejtë. Ato janë rrjete që nganjëherë kanë mbështetje të Qeverisë e nganjëherë e detyrojnë Qeverinë t’i mbështesë. Kush do ta marrë lokalin, nga ç’anë do të kalojë rruga, kush çfarë do të ndërtojë vendosin grupet e interesit. Përgjegjësinë për gjendjen në veri duhet ta marrë presidenti ose kryeministri. Serbia nuk bën t’i gënjejë më qytetarët”, ka thënë Janjiq.

Kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të grupit kriminal

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës ka kohë që është duke vepruar edhe një grup  kriminal i quajtur “Banda e Popit”, pjesëtarët e së cilës dyshohet se vjedhin vetura, ndërsa për t’ua kthyer pronarëve kërkojnë shuma të mëdha të parave.

Janë bërë publikë edhe emrat e pjesëtarëve të këtij grupi, siç janë: B. P., M. T., P. V., M. D., M. P., S. S., R. L., D. S. e M. M. Ndaj pjesëtarëve të këtij rrjeti kriminal Prokuroria e Shtetit ka ngritur kallëzim penal për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, kanosje e lëndim të lehtë trupor të personave të tjerë.

Njëri prej tyre, D. S., është duke u hetuar për vjedhje, dëmtim të pasurisë, ryshfet, transport të armëve e falsifikim të dokumenteve.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se në disa veprime kriminale në veri janë të përfshirë bashkë edhe shqiptarë, edhe serbë.

“Është e qartë që vjedhja e veturave është dukuri dhe fenomen jashtëzakonisht negativ i grupeve kriminale shqiptare dhe serbe. Mes grupeve kriminale për vjedhje të veturave ka bashkëpunim, sepse nuk bëhet fjalë për një lokalitet të veçantë, ka lëvizje të grupeve në lokacione të ndryshme dhe bashkëpunim - shkëmbim të veturave të vjedhura”, ka thënë kapiten Hoti.