Kronika

Provat që dyshohet se dy policët i zhdukën në rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Provat që dyshohet se dy policët i zhdukën në rastin e vrasjes së Ivanoviqit
12 shkurt 2018 • 19 : 34

Një gëzhojë e zhdukur e njërit prej plumbave që qëlloi Oliver Ivanoviqin është arsyeja pse dy policë të Kosovës kanë përfunduar në burg. KALLXO.com mëson për pretendimet e Prokurorisë ndaj dy policëve, të cilët u arrestuan të shtunën me dyshimet se zhdukën prova në rastin Ivanoviq.

Politikani serb ishte qëlluar me gjashtë plumba ndërsa forenzika në vendin e ngjarjes kishte gjetur një gëzhojë më pak, raporton Kallxo.com.

Kjo gëzhojë nuk ishte zbuluar në ditën e krimit.

Siç shkruhet në dosjen e Prokurorisë kur hetuesit kishin shikuar kamerat e sigurisë nga vendi i krimit kishin parë policin Zharko J., i cili kishte marrë nga vendi i krimit një gëzojë dhe e kishte futur në xhep.

Kolegu tjetër i tij, Dragisha M. po ashtu i arrestuar, vetëm kishte shikuar këtë veprim të kolegut të tij pa e penguar të njëjtin.

Prokuroria pretendon se dy policët lejuan kalimtarë të rastit të futen në vendin e krimit pa i penguar të njëjtit.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE'së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

 

© zëri.info