Prokuroria jep detaje për vrasjen e 12-vjeçarit në Klinë

Kronika February 11, 2018 - 16:55
Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një krim i rëndë në Grabanicë të Klinës

Gjatë ditës së sotme, rreth orës 10:20, në fshatin Grabanicë të Klinës ka humbur jetën një person i moshës 12-vjeçare.

Ai aksidentalisht është qëlluar nga djali i dajës së tij, i cili ka 13 vjet.

Për rastin ka folur për Express prokurorja kujdestare Zahide Gashi.

Prokurorja kujdestare Zahide Gashi thotë se rasti është nën hetime dhe se për momentin po cilësohet si vdekje aksidentale, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. 

“Sipas informatave të para që i kemi, kemi të bëjmë më një vrasje aksidentale. Një 13-vjeçar ka vrarë aksidentalisht një 12-vjeçar. Të dy të miturit kanë lidhje familjare mes vete. Rasti është duke u hetuar”, tha Gashi 

Express gjatë ditës ka raportuar për vdekjen e të riut nga Klina. Burimet e Gazetës njoftojnë se djali i dajës i viktimës (adoleshent),  duke luajtur me armë zjarri ka qëlluar aksidentalisht viktimën, i cili është nxënës i klasës së pestë. Mësohet se viktima është nga fshati Berliq i komunës së Deçanit.

Ai ishte me nënën e tij për t’u përshëndetur me dajët, pasi që babi i tij po përgatiste letrat për bashkim familjar jashtë Kosovës.

Të miturit kishin marrë pushkën në shtëpi dhe kishin dalë për gjueti, kur papritmas ngatërrohen në një tel dhe aksidentalisht pushka ka ndezur duke e goditur për vdekje të miturin, i cili thuhet se ka qenë djali i hallës i të miturit tjetër.

Për rastin për Express, ka folur edhe Driton Rugova nga Policia e Kosovës. Ai tha se bëhet fjalë për një vrasje aksidentale ndërsa viktima është dërguar në spital pa shenja jete. Policia po merret me rastin.

“Mundem me konfirmu një vrasje aksidentale, në orën 10:22. Ne Emergjencën e Mjekësisë Familjare në Klinë, fëmija i mitur ka arritur pa shenja jete”, tha Rugova.