'Policia dhe Agjencia e Inteligjencës se Kosovës e dinë kush e vrau Oliver Ivanoviqin'

Kronika February 07, 2018 - 17:56

Gazeta Express ka marrë vesh nga burimet e veta brenda këtyre dy institucioneve se ato tashmë janë të sigurta se i kanë informatat e sakta për autorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, që ndodhi tri javë më parë në Mitrovicën e Veriut.

Vrasja më enigmatike e viteve të fundit, ajo e Oliver Ivanoviqit, ka mundësi që do të zbardhet shpejt. Institucionet e sigurisë së Kosovës, ka mësuar Gazeta Express, kanë informata të mjaftueshme për rastin e vrasjes së politikanit serb në Veri të Kosovës.

"Edhe AIK, por edhe Policia e Kosovës, kanë informata për dorasin dhe për motivet e vrasjes së OIiver Ivanovicit", ka thënë një burim i mirinformuar.

"Ndoshta edhe më tutje këto informata nuk janë ato të duhurat, sa për të kryer arrestimin, mirëpo pista ekziston. Ekziston rreziku që nëse arrestimet do të kryheshin tash, do të mund të dëmtoheshin hetimet e mëvonshme."

"Për këtë gjë, këto institucione, pra këto të sigurisë, i kanë informuar edhe udhëheqësit politikë, sipas të gjitha gjasave edhe në Kosovë, por edhe në Serbi", ka thënë ky burim.

Oliver Ivanovic është vrarë muajin e kaluar para zyrës së partisë së tij politike. Ai, dy tri ditë para se të vritej, në një intervistë kishte deklaruar që ndjehet i rrezikuar nga serbët. Raportet e Ivanovicit me Qeverinë e Serbisë, edhe me Presidentin Vucic, kanë qënë të tensionuara. Këta të fundit e kanë përkrahur Listën Serbe, në kurriz të partive tjera politike serbe ne Kosovë.

Mediat në Serbi kanë raportuar se pak ditë para se të vritej Ivanovici i kishte nisur një mesazh telefonik Presidentit Vucic, por që nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje.

Spekulimet për vrasjen e tij, por motivet, kanë qenë të shumta.